Rritja e pagës minimale, shtohen sigurimet për të vetëpunësuarit

25/04/2017 00:00

Rritja e pagës minimale nga 22 në 24 mijë lekë në muaj sikurse ka lajmëruar qeveria shton të ardhurat mujore për punonjësit me paga të ulëta. Por për një kategori tjetër punonjësish, veçanërisht të vetëpunësuarit dhe ata që janë të siguruar me rroga maksimale ajo sjell rritjen e kontributeve.

Sipas ligjit, sigurimet për të vetëpunësuarit në bizneset e tyre përfshirë punonjësit pa pagesë të familjes, llogariten mbi pagën minimale. Aktualisht pagesa mujore për to është 6556 lekë në muaj. Por me pagën e re minimale ajo rritet me 9 për qind duke shkuar në 7152 lekë në muaj.

Por te vetëpunësuarit nuk janë kategoria e vetme që preken. Rritja e pagës së detyrueshme minimale, çon automatikisht edhe në rritjen e pagës maksimale mbi të cilën llogariten sigurimet. Kjo bën që për punonjësit të siguruar me paga maksimale, kontributet të rriten me rreth 2500 lekë në muaj në total, nga të cilat 1500 lekë i paguan ndërmarrja, ndërsa 1 mijë lekë vetë punonjësi.

Por në rastin e bizneseve, pasojat më të mëdha rritja e pagës minimale i ka tek ato kompani që bazohen tek krahu i lirë i punës si fasoni apo “call center”-at. Për këto kompani rritja e pagës së detyrueshme në shkallë vendi sjell rritjen e sigurimeve që ato paguajnë për çdo punonjës me rroga të ulëta mesatarisht me 500 lekë në muaj. 

Paga minimale ka qenë e ngrirë prej gati tre vitesh. Ndaj sipas qeverisë, rritja e moderuar e saj ndihmon punonjësit me të ardhura të ulëta dhe është plotësisht e përballueshme nga bizneset.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA