Rama pranoi “non paper”; Basha: Eksploruam ofertën, në letër nuk ishte qeveria teknike

25/04/2017 19:30

Negociatat ndërkombëtare japin rezultatin e parë. Burime pranë të dërguarve europiane dhe pranë qeverisë konfirmojnë se kryeministri Edi Rama ka pranuar të gjitha pikat e “non paper” të sjellë prej tyre, që lidhen kryesisht me standardet e zgjedhjeve.

Bëhet fjalë për një letër që i është paraqitur kryeministrit nga eurodeputetët McAllister dhe Fleckenstein për daljen nga kriza, me disa pika mbi standardet e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

McAllister, pas takimit me dyshen Rama-Meta mbylli takimin edhe me Lulzim Bashën.

Sipas Bashës, dokumenti nuk përmban qeverinë teknike dhe një dokument do të ishte bazë për dialog vetëm nëse ka brenda kërkesën e opozitës për qeverinë teknike dhe mandatin e saj. Sipas PD-së, kërkesa për qeverinë teknike dhe mandatin e saj mbetet e pandryshueshme.

Pas takimit, McAllister është takuar në një dhomë veç, vetëm me Bashën. Ndërsa Knut Fleckenstein u takua me Edi Ramën dhe Ilir Metën. Pas takimit, kreu i PD-së, Lulzim Basha nuk dha deklaratë, por la të kuptohet se diskutimet do të vazhdojnë.

Në lidhje me përmbajtjen e dokumentit, një faqe e gjysmë format, që ka hartuar misioni i OSBE, SHBA dhe BE dhe që i është paraqitur palëve, ka 5 çështje kryesore që lidhen me standardet e zgjedhjeve. Një nga pikat që negociatorët propozojnë është ndryshimi i KQZ-së. Ata rekomandojnë që kreu i këtij institucioni t’i jepet opozitës. Pika tjetër ka të bëjë me shitblerjen e votës, që çon në ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe Kodit Penal.

Një pikë tjetër ka të bëjë me ndryshimin e policisë. Kjo është një pikë delikate që është propozuar nga misionet ndërkombëtare si bazë për dialog. Lëvizje të caktuara në polici mund të bëhen për të rifituar besimin e opozitës se policia nuk do të ndërhyjë në procesin zgjedhor dhe do të luftojë trafikun e drogës.

Palët janë treguar shumë të rezervuara pas përfundimit të takimeve. Kryeministri Edi Rama nuk e ka mohuar qeverinë teknike. Ilir Meta nuk ka pranuar të bëjë asnjë koment, ndërsa McAllister tha vetëm se do të bëjë gjithçka që është e mundur.

Top Channel