Dialogu, Basha: T’i lutemi Zotit

25/04/2017 00:00

Pak orë përpara takimit me negociatorët ndërkombëtarë, Lulzim Basha tha se opozita është gati për dialog.

“Sot kemi shansin ta zgjidhim me dialog. Lulzim Basha në këtë dialog nuk përfaqëson veten e tij, as vetëm PD, as vetëm opozitën. Unë shkoj në këtë proces me vetëdijen e plotë se përfaqësoj interesat e një bashkimi të jashtëzakonshëm qytetar, më të madh popullor”, tha Basha.

Por ndërsa tha se është gati të gjejë gjuhën e kompromisit politik përmes dialogut, kreu i opozitës theksoi se nuk tërhiqet nga kërkesat e saj.

“Rrugë tjetër përveç zgjedhjeve të lira me qeveri teknike nuk ka. E kam shumë të thjeshtë të bëj kompromis, të gjej gjuhën e kompromisit politik për gjithçka që më takon mua dhe PD, po nuk bëj dhe nuk do të bëj asnjë tërheqje për gjithçka që i takon fateve të qytetarëve, të demokracisë shqiptare, të zgjedhjeve të lira e të ndershme. Zgjidhja që ne ofrojmë është zgjidhje e ndershme”, u shpreh lideri i opozitës.

Basha u shpreh i bindur se votim pa opozitën nuk do të ketë.

“Fundi nuk do të jetë votim pa opozitën, nuk do të jetë shpërndarje e popullit, fundi do të jetë fitorja e kauzës sonë të drejtë. Ndaj le të urojmë që sot arsyeja e shëndoshë të mbizotërojë dhe në mendjet e sëmura të pakicës që ka kapur peng popullin dhe do të marrë peng zgjedhjet. Ta urojmë, ta shpresojmë e t’i lutemi Zotit e për kundërshtarët tanë. Një gjë është e sigurt përmes dialogut ose përballjes populli do të fitojë gjithmonë”, tha Lulzim Basha.

Top Channel