Dështon misioni i McAllister, nuk ka zgjidhje. Mazhoranca: Por ka zgjedhje pa opozitën

25/04/2017 20:30

Negociatat mes qeverisë dhe opozitës, me ndërmjetësimin e Parlamentit Europian, nuk ia dolën që të ulnin bashkë në një tryezë dialogu Edi Ramën dhe Lulzim Bashën.

5 orët e negociatave ishin intensive, por pa produkt të përbashkët. Takimi i parë i David McAllister nga e djathta dhe Knut Fleckenstein nga e majta e Parlamentit Europian, ishte me bashkëkryetarët e koalicionit qeveritar, Edi Rama dhe Ilir Meta. Ata janë njohur me një dokument që synonte përmirësimin e standardit të zgjedhjeve, por që nuk përfshinte si pikë kërkesën e opozitës për qeverinë teknike.

Burime pranë qeverisë i thanë Top Channel se mazhoranca e ka vlerësuar dokumentin si një bazë të mirë për dialog me opozitën dhe se do të ishte e gatshme të diskutonte me të në një tryezë dialogu. Burime të tjera, që e kanë parë dokumentin, bënë të ditur për Top Channel se ai përmban disa çështje që janë menduar se i japin besueshmëri procesit zgjedhor. 3 prej tyre janë drejtimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga opozita, ndryshimi i disa drejtuesve të policisë, si dhe ndryshimet në Kodin Penal, për të ashpërsuar dënimin për shitblerjen e votës.

Por, për opozitën ky dokument nuk ishte një zgjidhje. Burime nga opozita thanë për Top Channel se ndërmjetësuesit europianë informuan se dokumenti është hartuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Europian dhe prezenca e OSBE-së dhe kanë kërkuar të mësojnë pozicionin e opozitës, nëse ai përbën një bazë për dialog. Të njëjtat burime thanë se kryetari Lulzim Basha është shprehur se e vetmja bazë për dialog është qeveria teknike dhe mandati i saj. Pas marrjes zyrtarisht të kësaj kërkese të opozitës, negociatorët janë ulur me palët në të njëjtin vend, tek Pallati i Kongreseve, në të njëjtin orar, në orën 19:00 të mbrëmjes së të martës, por në formate të veçanta. Europiani i djathtë McAllister me opozitën dhe europiani i majtë Fleckenstein me qeverinë. Takimi i opozitës zgjati më pak se 30 minuta, sepse burimet thanë se fokusi ishte kërkesa e opozitës për qeverinë teknike. Lulzim Basha nuk dha detaje.

Burime të Top Channel thanë se në takimin e dytë me McAllister, opozita ka mbrojtur qëndrimin se negociatat nisin vetëm me formimin e qeverisë teknike, si pika e parë e diskutimeve të tryezës së dialogut. Pala e qeverisë doli më vonë nga takimi, ndoshta, pasi është përcjellë zyrtarisht kërkesa e opozitës. Që, mesa duket, nuk është pranuar, por kryeministri Edi Rama nuk dha një përgjigje të qartë: “Keni më shumë informacion nga Partia Demokratike”.

Ilir Meta ishte edhe më hermetik. Ai përsëriti disa herë vetëm një shprehje që nuk përcillte optimizëm: “Nuk kam koment”.

Burime pranë qeverisë thanë për Top Channel se ka patur një propozim nga negociatorët për shtyrjen e zgjedhjeve me 1 muaj, si dhe për disa ndërhyrje në qeveri me emërimin e disa ministrave teknikë. Mësohet se Ilir Meta e ka pranuar këtë, ndërsa Edi Rama, siç thonë burimet, as e ka pranuar, as e ka refuzuar, por ka theksuar se është gati të diskutojë një shtyrje të arsyeshme të zgjedhjeve brenda kufirit të lejuar nga Kodi Zgjedhor, me kushtin që gjithçka të fillojë nga vetting-u. Përsa i takon diskutimit mbi ndërhyrjet në qeveri, Rama mësohet të ketë thënë se çdo diskutim pa çështjen e vetting-ut është i kotë.
 
Vetë negociatorët nuk mbajtën një qëndrim në deklaratën e tyre zyrtare, të publikuar 2 orë pas mbylljes së takimeve. Në deklaratën e përbashkët, dy eurodeputetët prezantuan përpjekjet për dialog, që përfshinin propozimet e tyre për çështjet mbi dekriminalizimin, luftën kundër narkotikëve, masa teknike për përmirësimin e zhvillimit të zgjedhjeve dhe masa që rrisin besimin politik.
 
Në deklaratë thuhet se negociatorët propozuan idenë për diskutimin e datës së zgjedhjeve dhe një ndryshim të mundshëm parazgjedhor të strukturave qeveritare për të ndërtuar besim afatgjatë tek sistemi. Deklarata e negociatorëve thotë se nga ana e qeverisë u dha dakortësi për pikat, nëse vetting-u do të votohej në Parlament. Partia Demokratike, thotë deklarata, mbajti pozicionin e saj për emërimin e një kryeministri teknik dhe votimin elektronik si kushte për zgjedhje të lira e të ndershme.

“Kushti i patjetërsueshëm për zgjedhje të lira e të ndershme mbetet qeveria teknike me mandatin popullor për të luftuar drogën, për të nxjerrë jashtë institucioneve kriminelët dhe për të krijuar kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme, duke përfshirë votimin dhe numërimin elektronik”, tha Basha nga çadra e protestës, pas dështimit së negociatave.

E marta ishte një ditë tersi për krizën e fundit politike. As emri i madh i David McAllister dhe as hija e rëndë e Berlinit nuk ndryshuan përfundimin e negociatave me dështim. Mazhoranca lëshoi jo pak në shkëmbim të vetting-ut, edhe ministra, por jo qeverinë teknike, një gjë që, siç i tha Lulzim Basha çadrës, ishte një kërkesë e panegociueshme. Shpresa e vetme tani është një negociatë tjetër, por për të, koha dhe afatet kushtetuese të procedurave zgjedhore, po mbarojnë.

Burime qeveritare thonë se megjithëse nuk pati një zgjidhje, së paku do të ketë zgjedhje, pa opozitën.

Top Channel