Ahmetaj: Rritëm pagën minimale

25/04/2017 00:00

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj shfrytëzoi takimin me punonjës të një fabrike fasoni në Kavajë për të përcjellë dy lajme, sipas tij pozitive, për të gjithë punonjësit, por veçanërisht ata me paga të ulëta.

“Lajmi i parë është rritja e pagës minimale. Lajmi i dytë është rritja e punësimit. Në një vit arritëm të hapim 183 mijë vende pune”, tha Ahmetaj.

Këtë të mërkurë qeveria pritet që të miratojë vendimin që rrit pagën e detyrueshme minimale, nga 22 mijë lekë në 24 mijë lekë.

Rritja e pagës minimale shton të ardhurat për punonjësit me paga të ulëta. Por, për një kategori tjetër, veçanërisht të vetëpunësuarit dhe ata që janë të siguruar me rroga maksimale, ajo sjell rritjen e kontributeve.

Sipas ligjit, sigurimet për të vetëpunësuarit llogariten mbi pagën minimale. Aktualisht pagesa për to është 6556 lekë në muaj. Por, me pagën e re, ajo rritet 9% duke shkuar në 7152 lekë në muaj.

Të vetëpunësuarit nuk janë kategoria e vetme që preken. Rritja e pagës së detyrueshme minimale çon automatikisht edhe në rritjen e pagës maksimale mbi të cilën llogariten sigurimet. Kjo bën që për punonjësit e siguruar me paga maksimale, kontributet të rriten me rreth 2500 lekë në muaj në total, nga të cilat 1500 lekë i paguan ndërmarrja, ndërsa 1 mijë lekë vetë punonjësi.

Në rastin e bizneseve, rritja e pagës minimale prek kompanitë që bazohen tek krahu i lirë i punës, si fasoni apo “call center”-at, pasi shton sigurimet që ato paguajnë për punonjësit e tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA