Shehi: Protesta paqësore, filozofia opozitare

24/04/2017 00:00

Dalja në rrugët kombëtare të opozitës, që bllokoi disa akse për 60 minuta, sipas Dashamir Shehit prodhoi disa rezultate.

Duke folur në Top Story këtë të hënë, kreu i LZHK-së tha: “Dita e sotme prodhoi një protestë të një natyre tjetër dhe një përshkallëzim të protestës, por që tregoi që mbetet paqësore, në filozofinë e opozitës për 66 ditë protestë. Qytetarët nuk reaguan me negativitet në lidhje me bllokimin e rrugëve. Në Francë njerëzit bllokojnë rrugët për çmimin e qumështit, ndërsa ne e bllokuam një orë për një çështje që nuk ka çmim, si liria dhe vota e lirë”.

Shehi vlerësoi edhe rolin e policisë. “Edhe policia u tregua mirëkuptuese dhe unë do t’i thoja faleminderit”, u shpreh ai.

“Kjo është në vazhdimin e asaj që tregon që kapaciteti organizativ i opozitës është shumë i madh. Ne kemi treguar gjatë gjithë kësaj kohe që kemi sensin e vetëpërmbajtjes. Opozita nëse do t’i duhet është në gjendje që të mbledhë më shumë njerëz me mekanizmat e saj. Kjo tregon një maturi”, vijoi ai.

Lidhur me hapat e mëtejshëm: “Do të shikojmë se çdo të ndodhë këtë javë dhe më pas do të vendoset për përshkallëzimin. Është e parakohshme që të flasim që tani se çfarë do të ndodhë. Unë uroj që këtë javë të ketë bisedime dhe me shpresën që të ketë një zgjidhje”, tha kreu i LZHK-së. 

Top Channel