Për herë të parë në 6 dekada, asnjëra prej partive kryesore nuk ka një kandidat në balotazhin e zgjedhjeve presidenciale të Francës.
Triumfi në raundin e parë i takoi ish-bankierit Emmanuel Macron, një person jashtë politikës qendrore, i cili rezulton të ketë siguruar 23.8% të votave.
Rivalja e tij, udhëheqësja e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen mori 21.5% të votave, duke i përcjellë Francës të njëjtën tronditje që i solli babai i saj në presidencialet e 2002-shit. Jean-Marie Le Pen arriti atëherë të siguronte balotazhin, bashkë me njeriun që do të bëhej më pas shefi i Elizesë, Jacques Chirak.
Në fjalimin e fitores, Macron huazoi shprehjen e preferuar të rivales, me qëllimin ta përshkruante veten si zgjidhjen patriotike për Francën.
“Shpresoj të bëhem presidenti juaj dhe dua të jem presidenti i të gjithëve, presidenti i patriotëve përballë kërcënimit të nacionalistëve”, tha Macron.
Patriotizmit i ka bërë jehonë edhe Le Peni, që konsideron se vota e dhënë për të është jetike për mbijetesën e Francës.
“Pavarësisht nga vini, pavarësisht origjinës që keni dhe pavarësisht se për kë votuat në raundin e parë, ju ftoj të gjithëve të na bashkoheni, të harroni mëritë e të përqëndroheni tek ajo çfarë është thelbësore për vendin”, tha Le Pen.
Pasi pranoi disfatën, njeriu që kryesonte qartazi sondazhet parazgjedhore deri në shpërthimin e skandalit të punësimit fiktiv të të shoqes, François Fillon u shpreh se pas 15 ditësh, mbështetja e tij në balotazh do të jetë për kandidatin e qendrës.
“Nuk e kam zakon abstenimin, – tha ai, – sidomos kur pushtetit i afrohet një parti ekstremiste”.
“Franca duhet të bashkohet në mënyrë që t’i parandalojë një partie ekstremiste hyrjen në Pallatin Elize”, tha François Fillon, kandidat i qendrës së djathtë.
Kryefjala e këtyre zgjedhjeve ishin siguria, ekonomia e ngecur e Francës, norma e papunësisë prej 10 për qind dhe ekstremizmi islamik.
Pakënaqësia me kastën aktuale politike ishte ajo që shtyu një numër të madh banorësh të Parisit, përfshirë edhe një pjesë të shtresës së mesme dhe asaj të lartë, të votonin për kandidatët e skajeve.
Edhe pse me mundim, Franca mbetet kështu europiane. Hyrja e një populisteje në balotazh ishte një goditje e fortë për demokracinë, por në fund, për socialdemokratin liberal Emmanuel Macron votoi arsyeja dhe jo emocioni.
Top Channel