Këndet e lojërave, Veliaj: Në njësinë 5 do ndërtohet një i ri

24/04/2017 00:00

Bashkia e Tiranës vijon punën për ndërtimin e këndit të 14 të lojërave në kryeqytet. Veliaj premtoi se fëmijët e njësisë administrative numër 5 do të kenë përpara se të fillojnë pushimet shkollore një kënd lojërash me module të ndryshme, ndriçim, gjelbërim dhe një shesh rekreativ ku pjesëmarrësit mund të jenë edhe të rritur.

“Ky do të jetë një ambient çlodhës shumë më cilësor se sa hapësira që kemi sot. Kjo është edhe një nga zonat ku investimi ka më shumë duk sepse njerëzit janë më të kujdesshëm, paguajnë taksat, paguajnë faturat dhe detyrimet e tjera. Investimet madhore siç kanë qenë rruga e “Kosovarëve”, blloqet e banimit në “Selitë”, apo së shpejti hapja e Komunës së Parisit nga rr. “Medar Shtylla”, janë sfidat tona për këtë vit. Shumë shpejt do të përurojmë edhe Parkun Olimpik”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës komentoi komentoi edhe bllokimin e disa rrugëve kryesore të kryeqytetit, çka sipas tij vështirësoi lëvizjen e qytetarëve por jo të punonjësve të bashkisë, fokusi I të cilëve është ti shërbejë qytetarëve

“Uroj që ata që e kishin në dorë për ta bërë Tiranën me të gjithë këto investime për 4 vjet, të kuptojnë se duke e bllokuar, thjesht u kujtojnë njerëzve se si e bllokuan 4 vjet me gjumin në Bashki, ndërkohë që shumë prej këtyre punëve mund të ishin bërë përpara 4 viteve.  Kemi ende shumë për të bërë, por kemi ende shumë për të humbur nëse rikthehemi te epoka e bllokimit dhe e gjumit, dhe jo te epoka e punës dhe investimeve. Ndaj dua të përgëzoj të gjithë kolegët që pavarësisht rrethanave, bllokimit të disa rrugëve, apo edhe të bulevardit, e kanë pasur fokusin te puna”, tha ai.

Top Channel