Zgjedhjet në Kavajë, PS hap fushatën për Bashkinë e qytetit

23/04/2017 00:00

Partia Socialiste çeli zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet e 7 majit në Kavajë me prezantimin e kandidatit për kryetar bashkie Klodian Shehi.

I deleguari i kryesisë së PS-së në këtë bashki Arben Ahmetaj tha se 7 maji do të jetë një test qytetar dhe vazhdimësi për Kavajën e Rilindjes urbane si dhe për 18 qershorin.

Ahmetaj tha se më 7 maj do të ketë zgjedhje, pavarësisht kontestimit të opozitës që i frikësohet fitores së socialistëve.

“Kavaja ka zgjedh PS dhe Shehin për të vazhduar ëndrrën e Rilindjes urbane. Sot Kavaja është një destinacion turistik me zhvillim ekonomik. Ish-kryetari i opozitës Sali Berisha që e përfaqësonte në parlament e la këtë qytet në harresë, ndërsa në 3 vjet Edi Rama investoi më shumë se 30 mln dollarë në qytet. I dëgjoni klithmat që vijnë nga çadra?”, u shpreh Arben Ahmetaj.

Kandidati Shehi tha se do të vazhdojë punën e nisur për të siguruar më shumë investime, ndërsa ftoi kundërshtarët politikë të votojnë për zhvillimin e qytetit.

“Ne kemi edhe kundërshtarë. Kundërshtari nuk kërkon të matet me ne, sepse e di që humbjen e ka të sigurt. Unë do t’i jepja një mesazh atyre që nuk mendojnë si ne, por që janë miqtë, vëllezërit tanë. Votoni për ne, se ju e dini ndryshimin, ju e dini rrugën që ne përshkojmë bashkë”, u shpreh Klodian Shehi, kandidat i PS për kryetar bashkie Kavajë.

Mesazhe për zgjedhje të qeta u përcollën nga Kavaja edhe nga kryetari i socialistëve të qytetit Gentian Daja.

Top Channel