PD: Do të filmojmë çdo polic. Përgjegjësi, nëse cënojnë të drejtën e protestës

23/04/2017 00:00

Menjëherë pas daljes përpara mediave të Policisë së Shtetit, ka reaguar edhe Partia Demokratike bashkë me “Opozitën e bashkuar”.

Me anë të një deklaratë, ata i bëjnë thirrje kupolës së Policisë, siç e quajnë ata, që të heqë dorë nga keqpërdorimi politik dhe të mos pranojnë të dalin kundër popullit për interesat e Edi Ramës.

“Partia Demokratike dhe Opozita e bashkuar i bën të ditur publikisht çdo punonjësi dhe funksionari të policisë se do të filmohet e do të regjistrohet emër për emër, kushdo që tenton të pengojë apo intimidojë qoftë dhe një qytetar të vetëm. Do të mbajnë përgjegjësi penale para ligjit, çdo drejtues, shef apo punonjës policie, që do tentojë të cënojë të drejtën sovrane të qytetarëve për të protestuar paqësisht”, thuhet në deklaratën e “Opozitës së bashkuar”.

Ajo mbyllet duke rikujtuar se në 65 ditë, opozita ka protestuar paqësisht dhe se do të vazhdojë qëndresën qytetare me çdo mjet demokratik, “derisa të sigurojmë zgjedhjet e lira dhe të ndershme”.

Top Channel