Ruçi i përgjigjet Bashës: President nga populli, jo në këtë mandat

22/04/2017 00:00

Kreu i Asamblesë Socialiste, Gramoz Ruçi ka deklaruar se është dakord me propozimin e zgjedhjes së presidentit nga populli, por jo per këtë mandat 5-vjeçar.

Për Ruçin, loja ka filluar dhe ndërsa raundet e zgjedhjes së tij në Kuvend po mbahen, Shqipëria më 24 korrik do jetë me president.

“Rregulli numër 1 është që edhe në futboll rregullat e lojës nuk diskutohen kur ka filluar loja. Pra, me Kushtetutë zgjedhja e presidentit është afër. Ndaj, opsioni për ta zgjedhur nga populli në këto zgjedhje nuk ka vend për diskutim sepse është shkelje e Kushtetutës.

Nëse dikush e ka këtë opsion, me të cilin unë do të isha plotësisht dakord, nuk bëhet fjalë për këto 5 vjet. Ejani ta diskutojmë, të ndryshojmë Kushtetutën, por gjithmonë për mandatin tjetër presidencial, sepse për këtë mandat loja ka filluar.

Dy raunde janë konsumuar, i treti zhvillohet javën tjetër, deri më datë 3-4 Kushtetuta i ka përcaktuar me ditë dhe orë se kur zhvillohen. Më 24 korrik, kur mbaron mandati i presidentit e që e kërkon Kushtetuta, Shqipëria do të ketë president”, ka thënë Ruçi.

Top Channel