Panairi i makinave lukzose në Shangai

21/04/2017 00:00

Panairi i Makinave në Shangai ka tërhequr me mijëra vizitorë, një pjesë thjeshtë kureshtarë të interesuar për t’u ulur në vendin e shoferit të automjeteve më të fundit të prodhuesve të mëdhenj. Krijimet e tyre i kanë prezantuar një sërë  firmash të njohura si Porsche, Honda, Ford e Ferrari.

“Zakonisht nuk e kam mundësinë që të prek makina të tilla, ama ne sot jo vetëm mund të afrohemi, por edhe të ulemi në to e të vendosim duart në timon. Ndjesia është e jashtëzakonshme”, thotë vizitori Xu Juan.
 
“Mua më duket se firmat kineze të automjeteve synojnë një cilësi të lartë në zhvillimin e tyre. Më duket se po përmiresohen gjithmonë e më shumë dhe kjo më bën mjaft përshtypje”, thotë Jing Jiawei, një tjetër vizitor.
 
Prodhuesit e makinave në Kinë po përpiqen të zhvillojnë të ashtuquajturat automjetete të reja të cilat furnizohen pjesërisht, apo plotësisht me energji elektrike, duke paraprirë kështu rregullat e reja që pritet të implementohen nga fillimi i vitit të ardhshëm.

Disa prej vizitorëve megjithatë thonë se i mbeten besnikë makinave tradicionale. Panairi do të qëndrojë i hapur deri në fund të muajit prill.

Top Channel