Durrës, shtrëngohen masat në port

20/04/2017 09:05

Shtrëngohen procedurat e kontrollit fizik të kamionëve në portin detar të Durrësit.

Pas arrestimit të 18 punonjësve te Policisë së Kufirit, Doganës dhe agjencive doganore në Durrës e Qafë-Thanë, policia dhe dogana kanë forcuar kontrollet, duke shkaktuar vonesa në imbarkimin e kamionëve në tragetet e linjave detare që lidhin vendin me Italinë.

Çdo kamion që udhëton drejt Barit dhe Ankonës, me urdhër të doganës, duhet t’i nënshtrohet procedurës së skanimit, ndërsa nuk përjashtohen as kontrollet fizike dhe ato me qenin antidrogë për çdo mjet.

Këto masa kanë shkaktuar pakënaqësi te drejtuesit e kamionëve, por edhe te udhëtarët, për shkak të presionit dhe vonesave të shkaktuara në imbarkim dhe nisjen e trageteve, të cilat janë nisur me mbi 2 orë vonesë gjatë këtyre ditëve.

Ndërkohë, agjencitë doganore kanë ndërprerë dje punën për një orë në shenjë proteste për arrestimin e kolegëve të tyre.

Top Channel