Deklarata e Gabriel, qëndrim i qeverisë gjermane

20/04/2017 00:00

Ministria e Jashtme gjermane dha një mesazh të qartë pas debateve që ka shkaktuar në Shqipëri kërkesa e Sigmar Gabrielit drejtuar opozitës, që t’i japë fund bojkotit parlamentar.

Në disa artikuj në shtyp dhe forume interneti, apeli i tij është cilësuar si thirrje që buron nga përkatësia e shefit të diplomacisë gjermane në Partinë Socialdemokrate gjermane. Sugjerohet se ajo duhet parë si një pozicion partiak i ministrit Gabriel dhe jo si pozicion i qeverisë gjermane.

“Deutsche Welle” i drejtoi Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë pyetjen nëse në deklaratën e Gabrielit kemi të bëjmë me një qëndrim të qeverisë gjermane ndaj zhvillimeve në Shqipëri, apo me një deklaratë nga pozita partiake të ministrit të Jashtëm gjerman.

Reagimi i saj nuk lë shteg për diskutime.

“Kërkesa e ministrit të Jashtëm Gabriel ndaj opozitës shqiptare për t’i dhënë fund bojkotit të Parlamentit dhe që opozita të shfrytëzojë rrugët e parashikuara në Kushtetutën e Shqipërisë është qëndrimi i Qeverisë Federale gjermane”, ka qenë përgjigjja e saj.

Gjatë qëndrimit në Tiranë, kryediplomati gjerman e cilësoi absurd bojkotin e Parlamentit.

“Deputetët duhet të bëjnë punën e tyre në Parlament dhe jo të protestojnë në çadër. Ky është një qëndrim që Gjermania nuk e pranon dhe do të bëjë gjithçka që opozita të shkojë në Parlament dhe të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare. Që opozita të mos e dojë qeverinë është normale, por rruga që ajo ka zgjedhur është e papranueshme. Këshilla jonë për opozitën dhe qeverinë është zbatimi i Kushtetutës dhe i ligjit, zhvillimi i zgjedhjeve në bazë të tyre. Këtë mbështet Gjermania në vendet që duan t’i bashkohen BE-së”, ishte komenti i tij.

Top Channel