Meta: Shtyrja e regjistrimit, shans për partitë e opozitës

19/04/2017 00:00

Pak orë pas kërkesës për shtyrje të afatit për regjistrimin e koalicioneve, nga Fieri kreu i LSI Ilir Meta ka sqaruar arsyet e këtij veprimi të dy partive kryesore të mazhorancës.

“Kërkesa që PS dhe LSI bëri në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për shtyrjen e afatit të koalicioneve ka për qëllim qetësimin e situatës politike të krijuar në vend, si dhe t’i japë kohë opozitës për të hyrë në dialog me mazhorancën”, ka thënë Meta.

Meta ka theksuar se çdo përpjekje që synon t’i japë mundësi opozitës të përfshihet në procesin zgjedhor është pozitive.

“PD dhe shumë parti opozitare nuk janë regjistruar në KQZ, as si subjekte dhe as si koalicione. Një afat i ri është kontributi që jepet për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Përpjekja për t’i dhënë kohë opozitës është një provë tjetër transparence”, ka vijuar Meta.

Ai ka shtuar se për të realizuar këtë i ka drejtuar një letër kreut të Partive Popullore Europiane.

Sa i përket koalicionit LSI-PS, Meta ka theksuar se më e rëndësishme është zgjidhja e situatës politike aktuale me qëllim zhvillimin e një procesi zgjedhor brenda standardeve europiane për të mirën e qytetarëve shqiptare.

Top Channel