Meta: Nuk i bashkohem ekstremizmit

19/04/2017 00:00

Për Ilir Metën, dështimi i qëllimshëm i seancës së parë për zgjedhjen e presidentit ka një qëllim. 

“Pasi dihet që kjo mazhorancë i ka numrat për të bërë një zgjedhje të plotë dhe legjitime të presidentit të ri. Por besojmë se ky është një proces shumë i rëndësishëm që padyshim kërkon edhe meriton dhe bashkëpunimin e opozitës”, tha Meta pas seancës.

Kreu i Kuvendit dhe i LSI-së, njëkohësisht emri më i lakuar për president të Republikës, shpjegoi atë që po shihet si një qëndrim i ri i tij ndaj krizës.

“Asgjë nuk ka ndryshuar nga qëndrim im dhe i Lëvizjes Socialiste për Integrim në funksion të një zgjidhjeje politike, në funksion të ofrimit të posteve që ne kemi, qoftë unë si kryetar i Kuvendit, qoftë ministrat e LSI”, tha Meta.

Por Ilir Meta tashmë ka sigurisht një qëndrim më kritik ndaj opozitës.

“Por askush nuk duhet të presë njëkohësisht që LSI-ja të rreshtohet me cilindo që kërkon ta çojë këtë krizë në ekstrem, sepse kjo nuk i shërben vendit, nuk i shërben qytetarëve shqiptarë dhe të gjithë duhet të punojmë për të rritur pikat e takimit në këto orë dhe në këto ditë. Sepse çdo ditë që ikën e bën më të vështirë daljen akoma më të mençur nga ky qorrsokak ku mund ta fusim vendin, edhe për arsye emocionale përveç interesave të ngushta partiake apo politike”, theksoi Meta.

Meta vlerësoi se shqetësimet e opozitës qëndrojnë, por jo deri në pikën që ai t’i bashkohet asaj.

“Kam përkrahur publikisht, prej kohësh dhe së fundmi shqetësimet e tyre, që nuk kanë qenë vetëm tyret, por edhe tonat; për çështjen e kanabisit apo të drogës; për çështjen e dekriminalizimit. Ndërsa unë nuk mund të them tani se opozita ka të dejtë në të gjitha kërkesat e saj, sepse po të thoja apo ta mendoja këtë gjë, do të isha edhe në çadër si drejtuesit e Partisë Demokratike apo si kolegë të tjerë”, nënvizoi Meta.

Dhe në fund duket se edhe durimi i Metës, shumë më i madh se ai i Ramës, ka një kufi. “Ne do ta presim (opozitën) brenda të gjitha mundësive, por natyrisht nuk mjafton vetëm që ne ta presim, duhet edhe opozita të vijë”, shtoi Meta.

Top Channel