Dilemat e letrës, anëtarët e opozitës në KQZ: Shkelet ligji

19/04/2017 00:00

Për opozitën, letra e të mërkurës Ruçi-Rama për KQZ-në, nuk është një ftesë për opozitën, por një mashtrim që synon të legalizojë farsën zgjedhore pa Partinë Demokratike.

Oerd Bylykbashi e la këtë tëkuptohet qartë kur shkruan: “Është afat prekluziv! Nuk shtyhet! Pikë! Kush ju pengon të regjistroheni si koalicion? Askush. Kjo është një e drejtë, jo një detyrim. Kaloi afati, humbet e drejta. Fundja, mund të garojnë tek e tek, pse mërziten? Peshkun që i qelb bishti erë mund t’ia shesin shqiptarëve përsëri, bashkë edhe pa koalicion në zgjedhje”.

Bylykbashi lë të kuptojë se shtyrja e koalicionit ka si synim final që në zgjedhjet pa opozitën, dy partitë kryesore të të majtës të garojnë përballë njëra-tjetrës.

Kjo frymë u ndje edhe në mbledhjen e KQZ-së paraditen e së mërkurës. Kërkesa për shtyrjen e afatit për regjistrimin e koalicioneve nuk ishte pjesë e rendit të ditës. Por, kjo nuk i pengoi anëtarët e Komisionit të Zgjedhjeve që të japin vlerësim mbi të. Dhe vlerësimet ishin të ndara, ashtu si përbërja politike e tij. Për nënkryetarin e KQZ-së, kërkesa e Ruçit dhe Ramës është nul. Siç është nul, sipas tij, edhe çdo vendimmarrje e KQZ-së mbi të.

Hysen Osmanaj, nënkryetar i KQZ-së, tha: “Asnjë datë e përcaktuar, e sanksionuar në Kodin Zgjedhor, ne nuk mund të lëvizim. Nuk është kompetencë e jona, por e Parlamentit. Jo më vonë se 60 ditë para zgjedhjeve kemi të drejtë të regjistrojmë koalicionet. Nuk kemi asnjë kompetencë e të drejtë ligjore që të dalim mbi kodin dhe çdo vendim yni, me 7 apo 4 vota, absolutisht është nul, i pavlefshëm”.
 
Këtë qëndrim ndan edhe Klement Zguri, por ai shton një shkelje që në mënyrën e hartimit të saj. Sipas tij, kërkesa drejtuar KQZ-së mban firmën e krerëve të grupeve parlamentare, Gramoz Ruçi e Luan Rama, dhe jo të personit të autorizuar të Partisë Socialiste.

“Kryetari i PS-së, Edi Rama ka autorizuar zonjën Blerina Gjylameti. Ky është personi ligjor i autorizuar nga PS për ta përfaqësuar në të gjitha procedurat, që nga regjistrimi e me radhë. Kërkesa e dy kryetarëve bie ndesh me ligjin dhe ata nuk kanë autoritetin për të bërë kërkesa të tilla”, tha Zguri.

Ndërsa Bledar Skënderi, anëtar i KQZ-së, theksoi: “Ejani te mbledhja nesër. A do e shqyrtoni? Do e vendosim nesër, por nesër ka mbaruar afati, është sonte në mesnatë”.

Vendimi pritet të merret të enjten në orën 13:30. Burime nga KQZ thonë se vendimmarrja në këtë rast do të jetë me shumicë të thjeshtë. Pra, me katër vota.

Ndërkohë që koalicioni opozitar, përmes një letre të nënshkruar nga kreu i grupit parlamentar të PD, Edi Paloka, ka sjellë në vëmendjen e KQZ, se afatet e parashikuara në nenet 64 dhe 65 të Kodit Zgjedhor, për regjistrimin e partive politike dhe koalicioneve zgjedhore, janë afate prekluzive, dhe nuk mund te shtyhen.

 
Në letrën e koalicionit opozitar drejtuar KQZ sot pasdite, thuhet se qëndrimi i KQZ ndaj kësaj kërkese, apo vendimmarrja mbi këtë kërkesë, do ta nxirrte këtë institucion thellësisht politik që shërben si mashë elektorale për kastën qeverisëse.

 
Më poshtë letra e plotë e PD, drejtuar KQZ-së.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel