Meta si Gabriel: Të zgjidhet një orë e më parë kriza

17/04/2017 00:00

Ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel dha një mesazh të qartë këtë të hënë në Tiranë.

“Më lejoni t’ju bëj një pyetje? Çfarë është më e rëndësishme? Interesat e vendit apo interesat e partive politike?”, u shpreh ai në një takim me mediat.

Me të njëjtën gjuhë foli më herët kryetari i LSI-së, Ilir Meta. Ai tha se është shumë e rëndësishme që këtë konflikt absurd politik ta zgjidhim jo një ditë e më parë, por një orë e më parë.

“Sepse çdo orë që kalon në pasiguri dhe në drejtime të paditura, të pakontrollueshme, të pamenaxhueshme sjell më shumë pasiguri për sipërmarrjen vendase dhe për investitorët e huaj në vend dhe sjell një frenim të hapjes së vendeve të reja të punës”, tha Meta.

Meta theksoi se LSI vë interesin e vendit mbi çdo gjë tjetër, duke treguar përgjegjësi maksimale për forcimin e institucioneve dhe zhvillimi të ekonomisë.

“LSI mbi çdo interes të sajin ka vendosur dhe do të vendosë gjithmonë interesin e vendit dhe ka treguar gjithnjë përgjegjësi maksimale për të forcuar stabilitetin për të forcuar demokracinë për të forcuar institucionet. Sepse kjo është rruga që e zhvillon ekonominë tonë akoma më shpejt në mënyrë më të qëndrueshme, më të shëndetshme për të luftuar varfërinë dhe pabarazinë sociale që janë ende sfida të mëdha për familjet e Shqipërisë”, tha Meta.

Top Channel