Holanda: Mbështesim integrimin, por të nisë zbatimi i vettingut

17/04/2017 11:10

Ministri i Jashtëm holandez, Bert Koenders kërkoi sot në Tiranë nisjen e zbatimit të reformës në drejtësi dhe të vettingut.

“Doja të theksoja edhe njëherë mbështetjen për reformën në drejtësi. Vitin që shkoi Parlamenti miratoi me votë unanime ndryshimet kushtetuese që duhet të çojnë në përmirësimin e shtetit të së drejtës dhe ka ardhur koha që këto ndryshime të fillojnë nga zbatimi”, deklaroi Koenders.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun Bushati, Koenders tha se vendi i tij e mbështet fort anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe se e mbështet edhe procesin e reformës në drejtësi.

“Është e rëndësishme që të bëni progres në procesn e vettingut, gjë e cila është shumë e rëndësishme dhe ne mbështesim plotësisht qeverinë në këtë fushë”, theksoi Koenders.

Pa ndërhyrë në çështjet tuaja të brendshme, tha shefi i diplomacisë holandeze, duhet të ketë një dialog për zgjedhjet.

“Mendoj se edhe për zgjedhjet është e rëndësishme të ketë dialog politik. Është e rëndësishme që të keni zgjedhje të lira e të ndershme”, shtoi Koenders.

Nga ana e tij, Bushati deklaroi se politika duhet të ndahet nga tradita e mbrapshtë e komentimit apo ankesave ndaj përfaqësuesve të shteteve të ndryshme në Shqipëri, duke iu referuar deklaratavë të opozitës kohët e fundit.

“Përshëndes angazhimin e ndërkombëtarëve që ne të adresojmë rekomandimet për zhvillimin e zgjedhjeve, në mënyrë që shqiptarët të kenë zgjedhje të lira. Politika duhet të ndahet nga tradita e mbrapshtë e komentimit apo ankesave ndaj përfaqësuesve të shteteve të ndryshme në Shqipëri. Askush nuk duhet të humbasë kohë. Shqiptarët kërkojnë fillimin e zbatimit të reformës në drejtësi. Vetë opozita ka qenë dakord me vendimet kushtetuese dhe është koha për t’i dhënë jetë procesit të vetting-ut”, tha Bushati.

Top Channel