Gabriel: Vettingu, qëndrim zyrtar i qeverisë federale

17/04/2017 00:00

Edhe në konferencën për shtyp me kryeministrin Rama, ministri i Jashtëm gjerman Sigmar Gabriel ka përsëritur mesazhin që opozita të ndërpresë bojkotin dhe të kthehet në Kuvend për të votuar reformën në drejtësi.

Gabriel theksoi se ky është edhe qëndrimi zyrtar i kancelares gjermane, Angela Merkel. “Ky është qëndrim i qartë i kancelares Merkel, të nisë zbatimi i reformës në drejtësi dhe vettingu”, ka thënë Gabriel.

Duke iu përgjigjur shqetësimeve të opozitës për rrezikun e manipulimit të zgjedhjeve, shefi i diplomacisë gjermane ka nënvizuar se, qeveria ku ai bën pjesë është e gatshme të ofrojë ndihmë, “por kjo duhet të diskutohet në Parlament dhe jo në çadër”.

“Ndaj ne rekomandojmë që ky bojkot të mbyllet dhe të shkohet në zgjedhje. Nëse vendi kalon në një situatë kaotike ne nuk mund të ofrojmë mbështetje. Ky bojkot largon vendin nga anëtarësimi në BE”, ka thënë Gabriel.

Nga ana e tij, kryeministri Rama ka falenderuar ministrin për mbështetjen e Gjermanisë në proceset që po kalon Shqipëria.

“Një mbështetje e shprehur dhe e pasqyruar më së miri në ekspertizën dhe asistencën gjermane për forcimin e administratës publike, sistemin e së drejtës, etj. Për të çliruar drejtësinë nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar dhe për t’i dhënë një përgjigje të prerë BE-së, se Shqipëria është gati të nisë negociatat e anëtarësimit”, ka thënë Rama.

Ai ka bërë me dije se, zoti Gabriel po luan një rol të veçantë që takimi mes vendeve të Ballkanit në Trieste të jetë në vazhdën e samiteve në Berlin, Vjenë e Paris.

Top Channel