“Bombat” gjermane, Basha s’ka koment

17/04/2017 00:00

Lulzim Basha nuk e komentoi deklaratën e Sigmar Gabriel kundër bojkotit të Parlamentit dhe zgjedhjeve të 18 qershorit, por tha se e kishte njohur kryediplomatin gjerman me ato që i quajti “fakte të pakundërshtueshme që çmontojnë propagandën e qeverisë”.

“Dëshiroj të theksoj se ajo çka po them këtu në Tiranë nuk është pikëpamja ime personale, por edhe pikëpamja e qeverisë federale, pikëpamja e kancelares Merkel. Ne të dy jemi anëtarë të partive socialdemokrate dhe mund të ketë ndonjë interpretim për këtë shkak, por më lejoni të nënvizoj se ky është një pozicionim i qeverisë federale”, deklaroi ndër të tjera Sigmar Gabriel.

Pak minuta pas kësaj deklarate ministri i Jashtëm gjerman u takua me kreun e opozitës. Por Lulzim Basha shmangu çdo koment rreth qëndrimit të Gjermanisë kundër bojkotit, pengimit të reformës në drejtësi dhe mospjesëmarrjes në zgjedhje nga opozita që ai drejton. 

“Nuk komentoj deklaratën e tij të mëparshme, sepse kisha mundësinë ta sqaroja, siç nuk kam ndërmend t’i paraprij gjykimit të tij për informacionet që i dhashë”, tha Basha.

Basha dhe Gabriel qëndruan më shumë se 1 orë së bashku, kohë të cilën kreu i opozitës e ka shfrytëzuar për të paraqitur një realitet tjetër nga ai që kritikoi ministri i Jashtëm gjerman.

“Zgjati pikërisht sepse pas deklaratës së tij të bërë para takimit me mua, ishte detyra ime të paraqisja fakte dhe argumenta të pakundërshtueshme, të cilat çmontojnë gënjeshtrat e qeverisë për gjendjen e krimit në vend, për gjendjen e drogës, për impaktin që ka te zgjedhjet dhe natyrisht gënjeshtrën për reformën në drejtësi”, deklaroi kreu i PD.

Por megjithëse nuk komentoi ato që tha Gabriel, Basha nënvizoi indirekt diçka që ai nuk e përmendi.

“Injorimi i tonelatave të drogës është ndëshkim për Shqipërinë, është inkurajim për krimin e organizuar dhe për Edi Ramën që të mbjellë dhe  tonelata të tjera. Ku do të cojë kjo? Kjo do të cojë në një destabilizim të vendit drejt një rënie totale të institucioneve të demokracisë, do të dëmtojë Shqipërinë, rajonin dhe Europën”, deklaroi Basha.

Megjithatë, edhe një orë takim me zëvendesin e Merkel nuk ka qënë mjaft që kreu i PD të heqë dorë nga kushti i opozitës për zgjedhjet.

“Zgjedhje fasadë të diktuar nga krimi, nuk ka për të patur sepse këto do të çonin në situatë eksplozive drejt destabilizimit total. Jemi të hapur dhe të vendosur të bashkëpunojmë me të gjitha forcat e përgjegjshme politike për zgjedhje të lira e të ndershme vetëm përmes një qeverie teknike”, tha ai.

Ai tha se i bëri të qartë Gabrielit që nuk është Partia Demokratike që po bllokon reformën në drejtësi dhe procesin e Vettingut.

“Vettingu nuk do bëhet siç e do Edi Rama, as siç e dua unë. Vettingu nuk do bëhet si e do asnjë Kryeministër, sepse është konflikt interesi, sepse qeveria ka në dorë paratë, krimin në këtë rast. Kush do ta hetojë? Gjyqtarët që do të caktojë Edi Rama?! Opozita do kthehet të votojë 6 ligjet kur Edi Rama të shpërbëjë thyerjen e paktit. Zgjedhje të lira e të ndershme vetëm përmes një qeverie teknike”, tha ai.

Top Channel