Thirrja e klerikëve për dialog është dëgjuar nga politikanët shqiptarë, por ende nuk duket ndonjë shenjë se gjërat po ndryshojnë. Edi Rama tha se në respekt të Pashkëve nuk do të bënte komunikimin javor. Lulzim Basha, nga çadra foli kundër tamtameve të luftës dhe Ilir Meta përmendi mesazhin e Papa Françeskut për dialog. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj thotë se politika duhet të marrë shembull nga bashkëjetesa fetare.

Politikanët nuk i rezistuan dot tundimit të politikës në ditën e Pashkës, por sërish ata nuk gjetën dot paqe mes tyre. Edi Rama, i cili postoi 2 urime brenda pak orësh, zgjodhi një ikonostasë ortodokse të restauruar pas vitit 2013, për të uruar besimtarët e krishterë dhe për të treguar ndryshimin mes qeverisjes së tij dhe asaj të opozitës, Edi Rama thotë se është bërë shumë për trashëgiminë e thesaret historike e kulturore, mbetet shumë për të bërë, por që ka edhe shumë për të humbur, nëse, siç thotë ai, ndalemi sot në rrugën e Shqipërisë që duam, me shtet, punë dhe mirëqenie.

Ky mesazh i është dukur provokativ kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili i quajti protestuesit demokratë misionarë të paqes dhe të shpresës. “Atij që edhe ditën e Pashkës i fryn tamtameve të luftës, i them se paqja po zbret në zemrën e çdo shqiptari. Se përmes paqes, bashkimit dhe vendosmërisë, e mira do të pushtojë të gjithë vendin tonë”.

Lulzim Basha i shmangu komentet politike kur ishte për urim në Katedralen Ortodokse në Tiranë, vendi ku kundërshtarët politikë nuk kursyen urimet për njëri-tjetrin.

Megjithatë, jo të gjithë iu shmangën komenteve. Fryma e dialogut mbizotëroi te dy anëtarë të koalicionit qeveritar.

“Dialogu, bashkëpunimi, janë themelet e një shprese për një të nesërme më të mirë. Shpresojmë që Pashkët të na ndihmojnë për këtë gjë”, tha kreu i LSI-së, Ilir Meta.

“Ne të politikës, në ditë si sot, duhet të jemi pak me turp. Kur shikojmë se si myslimanë e të krishterë përqafohen dhe urojnë njëri-tjetrin, nuk ka asnjë arsye që ne, mes shqiptarësh, të mos gjejmë gjuhën e përbashkët. Le t’i lëmë mënjanë inatet e vogla personale për të mirën e vendit”, tha kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.

Nëse fryma e Pashkës do të ndikojë pozitivisht te dialogu, këtë do ta tregojë java e ardhshme, kur në Tiranë pritet të mbërrijë negociatori David McAllister.

Top Channel