Mesazhi i Nishanit: Zgjidhje me ndihmën e Zotit

16/04/2017 00:00

Mesazhin e urimit të Pashkëve, Presidenti Bujar Nishani e bëri nga fshati minoritar i Derviçanit, në Gjirokastër. Kreu i Shtetit ishte në meshën e mbajtur në Kishen e Fjetjes së Shën Marisë, ku shprehu besimin e tij për një marrëveshje politike për të mirën e vendit.

“Kisha, besimi dhe Zoti na japin besim. Nga ky vend sot jam optimist se edhe politikanët do të orientohen me ndihmën e Zotit me respekt për njëri-tjetrin të gjejnë zgjidhjen e duhur me sa më pak pasoja”, tha Nishani.

Ky mesazh i Presidentit vjen pas një nisme konkrete të tij për të ulur në dialog mazhorancën dhe opozitën. Kjo nismë është konfirmuar nga të dyja krahët politike, të cilat shprehin gadishmërinë, por vetëm kaq.

Në Dropull, Presidenti Nishani dekoroi me urdhrin “Mjeshtër i Madh”, Ansamblin e Dropullit me motivacionin për ruajtjen dhe zhvillimin e traditës etnokulturore të zonës së Dropullit.

Top Channel