Daniel Hannan është një emër i njohur në Britani, por mbi të gjitha në Bruksel. Mban mbi supe emrin e atij që ideoi Brexit dhe solli divorcin mes Londrës dhe BE-së.

Gazetari, shkrimtari, por mbi të gjitha politikani, rrëfen në një intervistë për Top Channel përse këmbënguli për gati çerek shekulli për daljen e Britanisë nga familja europiane. Në kohën kur Britania nis procedurat për tu shkëputur përgjatë 2 viteve të ardhshme përfundimisht mga unioni, Shqipëria bën përpjekje për tu bërë pjesë e kësaj familjeje, bashkë edhe me vendet e tjera të Ballkanit perëndimor.

Por, a është Shqipëria gati në sytë e këtij euroskeptiku të regjur?

“Ky nuk do të jetë më shqetësimi ynë. Është një çështje e rëndësishme për Shqipërinë dhe për Brukselin. Përgjatë referendumit në Britani, kryeministri juaj ndërhyri në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe shkroi për të përditshmen “The London Time”, duke thënë se shqiptarët kanë probleme të tmerrshme dhe ne nuk do të donim të ishim si ju. Epo, mirë. Ndoshta Shqipëria mund t’i zgjidhë problemet e saj në mënyra të tjera përveçse anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian. Dhe do të doja të shihja një situatë ku çdo vend i këtij rajoni të mund të marrë pjesë në një treg të përbashkët europian dhe të marrë përsipër të drejtat dhe përgjegjësitë për të ruajtur këtë treg të vetëm, pa asnjë lloj diskriminimi mbi bazat e origjinës, nacionalitetit apo shqetësime të tjera, pa nevojën për tu bërë një provincë e europës federale”, thotë Hannan.

Hannan i ka qëndruar besnik idesë së tij për shkëputjen e Londrës nga BE-ja, me shpresën dhe bindjen se shumë shpejt vendi i tij do të shndërrohet në një Amerikë të dytë.

Top Channel