Ahmetaj prezanton kandidatin e PS në Kavajë

15/04/2017 00:00

I deleguari i Kryesisë së Partisë Socialiste në Bashkinë Kavajë dhe Rrogozhinë, Arben Ahmetaj prezantoi sot kandidatin e PS për kryetar bashkie në zgjedhjet e 7 majit, Klodian Shehi.

Në një takim me anëtarët e asamblesë së PS, Ahmetaj tha se zgjedhjet e 7 majit janë tejet të rëndësishme për Kavajën e 10 viteve që do të vijnë.

“Këto zgjedhje kanë një specifikë shumë të madhe jo vetëm për Kavajën, por për të gjithë Shqipërinë. Ato duhen marrë ashtu siç ne kemi marrë të gjitha sfidat, por me më shumë seriozitet, këmbëngulje dhe modesti, në mënyrë që këtë radhë Kavaja të bëhet shembull në të gjithë Shqipërinë”, tha Ahmetaj.

Duke iu referuar qëndrimit të PD lidhur me këto zgjedhjet, Ahmetaj tha se opozita e çadrës kërkon që ta kthejë Kavajën në një mollë sherri në të gjithë Shqipërinë.

“Kërkon të thyejë çdo lloj ligji. Të bëjë një, le të themi takim, apo protestë nëse doni, në datën e zgjedhjeve duke shkelur heshtjen zgjedhore, duke shkelur çdo lloj ligji e çdo lloj normaliteti politik, si dhe duke provokuar qytetin e Kavajës”, tha Ahmetaj.

Nga ana e tij kandidati Shehi tha se qytetaria e Kavajës do të tregojë që voton për vlerat dhe për atë që do t’u premtojë fëmijëve të saj.

“Brenda 10 viteve në Kavajë do të finalizohen 10 projekte të reja që më takon mua t’i çoj më tej. Por njëkohësisht këto projekte duhet të pasohen nga të tjera, me të cilat ne të mund t’i kthejmë këtij qyteti jo vetëm vlerat historike të tij, por edhe vlerat e një qyteti bregdetar e turistik”, tha Shehi.

Top Channel