Rama “kopjon” Metën: Bashkia e lali Erit. Xhaxhi Luli fjeti gjumë

14/04/2017 00:00

Për kryeministrin Edi Rama, opozita është mbyllur prej dy muajsh në çadër sepse ka frikë nga drejtësia. Është kjo reformë, që sipas kreut të qeverisë i ka bërë gjykatësit dhe prokurorët që ndryshe nga e shkuara, sot të kenë frikë.

“Shqipëria që kishim dhe Shqipëria që kemi janë njësoj kur vjen puna tek drejtësia, ndoshta me një ndryshim të vogël, mund të mos jetë dhe i vogël. Në Shqipërinë që kishim, gjykatësit, prokurorët dhe politikanët e korruptuar as nuk kishin frikë, sot kanë frikë. Për momentin frikën e kanë frut të imagjinatës, por e kanë. Frika i ka mbledhur në çadër, i ka ngujuar për tu mbrojtur nga drejtësia e Shqipërisë që duam, pro Shqipëria që duam nuk është iluzion, është një vizion”, ka deklaruar Rama.

Ndërsa shprehu ambicien për ta shndërruar Tiranën në kryeqytetin me hapësirën më të madhe këmbësore në Europën lindore, Rama tha se i vetmi që mund ta realizojë është kryebashkiaku Veliaj.

“Është një ambicie që gjithëkush mund ta definojë në letër ama jo të gjithë mund ta bëjnë realitet, duhet lali Eri dhe jo xhaxhi Luli. Me lali Erin ka punë me xhaxhi Lulin ka gjumë. Xhaxhi Lulit kur i del gjumi fillon dhe bërtet, duket sikur do zgjedhje të lira por në fakt do gjumë, rehatllëk, që të mos i prishë njeri terezinë”, ka thënë Rama.

Deklaratat kryeministri i bëri gjatë një takimi me profesionistët e rinj, pak metra larg çadrës së demokratëve, ndërsa i prezantoi të rinjve mundësitë që ofron vendi ynë për punësimin e tyre.

Top Channel