Kryeministri i bëri thirrje kreut të opozitës që të shpejtojnë për dialogun për të cilin Rama thotë se nuk ka asnjë kusht.

“Përcaktoji vetë të gjitha modalitetet e uljes në tryezë. Nëse ke frike nga unë, propozo një rruge dialogu që ty të duket më e lehtë. Ke thënë që dëshiron të ulen të tjerë për të përgatitur uljen tënde me mua. Është absurditet, por s’ka problem. Cakto njerëzit e tjerë, kë të duash. Cakto vendin, ku të duash. Cakto orën, kur të duash.  Na lajmëro dhe njerëzit tanë do jenë aty. Vetëm mos u vono dhe mos na vono, sepse fati yt politik Lulzim, mua nuk më intereson fare, ashtu sikundër nuk më intereson fare fati i Partisë Demokratike”, thotë Kryeministri.

Edi Rama ishte i qartë kur tha se do të jetë në pritje të çfarëdolloj takimi, por po aq i qartë, ishte edhe për ato për të cilat nuk do të negociojë, sidomos vijueshmërinë e qeverisë që drejton.

“Ti e ke numrin tim të telefonit Lulëzim. Zyra jote e ka numrin e telefonit të zyrës time. Ndaje mendjen dhe më njofto një orë e më parë. Për të mirën e të gjithëve në radhë të parë, por pa diskutim për të mirën e zgjedhësve të tu, të partisë tënde dhe tënden personalisht. Harroje se mund ta marrësh peng popullin, drejtësinë, shtetin! Zgjedhjet nuk ke për t’i ndaluar dot kurrë, as ti dhe as të gjithë ata që mund të vijnë pas berihait ku ti i fton. Këtë Qeveri nuk ke për ta rrezuar dot kurrë, nëse populli nuk do ta vendosë ta largojë me votë më 18 qershor”, shton ai.

Kreu i mazhorancës thotë se dialogu është e vetmja rrugë që mund të çojë, sipas tij, edhe opozitën në drejtimin e duhur.

“Po pres Lulëzim! Mos na turpëro të gjithëve se realisht ka filluar të na qeshë bota! Dialogu është e vetmja rrugë ku mund të gjejmë pika të përbashkëta dhe asnjë rrugë që shmang dialogun nuk e çon Partinë Demokratike dhe opozitën zyrtare të mbledhur në çadër, në drejtimin e duhur. Duke ditur diçka më shumë sesa ti dhe sesa ju për drejtimin e duhur, mund t’u siguroj të gjithëve për këtë. Dialog, dialog dhe vetëm dialog, pa kushte, por sigurisht edhe pa humbur kohë”, deklaroi Rama.

Top Channel