Zgjedhja e presidentit javën tjetër, Meta: Raundi i parë më 19 prill

13/04/2017 11:15

Raundi i parë i zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës së Shqipërisë do të nisë në datën 19 prill, në orën 18:00.

Lajmin e bëri të ditur kreu i Kuvendit, Ilir Meta, në seancën plenare të së enjtes, dhe vendimi u morr në Konferencën e Kryetarëve më herët.

“Para seancës plenare, me kërkesë të zotit Ruçi u mblodh konferenca e kryetarëve për çështjen e presidentit të Republikës. Konferenca ra dakord të nisë procedurat parlamentare për këtë proces kushtetues. Konferenca caktoi si datë të raundit të parë të votimit ditën e mërkurë, datën e 19 prillit, ora 18”, deklaroi Meta.

Që nga ky moment, në zbatim të nenit 87 të Kushtetutës, një grup me jo më pak se 20 deputetë ka të drejtën t’i propozojë Kuvendit kandidaturën për President të Republikës së Shqipërisë.

Në mënyrë më të hollësishme, neni 87 i Kushtetutës dhe neni 109 i Rregullores së Kuvendit, parashikojnë rregullat mbi procedurën e zhvillimit të raundeve të votimit si edhe shumicën e kërkuar në secilin prej raundeve. Votimi për secilin raund bëhet i fshehtë dhe pa debate. Votimi quhet i kryer edhe kur në Kuvend nuk paraqitet asnjë kandidaturë.

Kreu i deputetëve socialistë, Gramoz Ruçi i kishte kërkuar kryeparlamentarit Meta të mblidhte të enjten paradite Konferencën e Kryetarëve për të deklaruar menjëherë nisjen e procedurave për zgjedhjen e Presidentit dhe për të caktuar datën e seancës së parë të votimit, nga 5 që parashikon gjithsej Kushtetuta.

Ruçi citonte kërkesën kushtetuese të votimit të parë jo më vonë se 7 ditë nga nisja e procedurës për zgjedhjen e Presidentit dhe propozonte datën 19 prill si seancën e parë të votimit.

Top Channel