Shpëtim Idrizi i kërkoi sot Presidentit të Republikës mbledhjen e tryezës së përbashkët të partive politike, si mundësinë e vetme për t’i dhënë fund krizës, teksa palët janë ende të pavendosura për një dialog mes tyre.

“PDIU beson se vetëm dialogu i shpejtë, serioz, jo vetëm politik, por edhe kombëtar është hapi i parë për zgjidhjen e krizës, që sot mund të dëshmojë se sa e thellë është. Edhe ligjërimi kushtetues, edhe ligjërimi ultimativ po rrisin anormalitetin e situatës politike”, tha Idrizi.

Por, a është Bujar Nishani në fund të mandatit të tij si President, në konflikt interesi nëse thërret tryezën për të cilën u shpreh Idrizi?

“Nuk mendoj se kriza tani është tek zgjedhja e Presidentit. Vëmendja tani duhet të jetë tek zgjedhjet dhe zgjidhja e krizës politike”, u përgjigj Idrizi.

Ndonëse kandidatura e tij një ditë më parë për anëtar të komisionit “ad hoc” për verifikimin e kandidaturave për organet e vetting-ut nuk u votua, Idrizi thotë se kjo nuk përkthehet në daljen nga qeveria.

“Praninë tonë në koalicion nuk do ta pengojë një votim. Ne vazhdojmë të jemi pjesë e koalicionit”, u shpreh Idrizi.

Top Channel