8 muaj pas miratimit të ligjit të vetting-ut, Parlamenti kishte radhën për të kryer detyrën e tij në ngritjen e organeve të vetting-ut. Por, kjo gjë nuk ndodhi.

Bojkoti i opozitës pamundësoi ngritjen e një komisioni funksional për verifikimin e kandidaturave për institucionet që do të kontrollojnë pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Megjithatë, mazhoranca bëri pjesën që i ngarkon ligji dhe votoi 3 anëtarët e saj në komision. Vasilika Hysin dhe Ulsi Manjën e Partisë Socialiste dhe Luan Ramën e Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Me këtë votim, Partia Socialiste përjashtoi nga komisioni Shpëtim Idrizin e PDIU-së. Ai mori vetëm votat e deputetëve të partisë së tij dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.

PDIU-ja u kujdes të mos japë një qëndrim përfundimtar për koalicionin, por një paralajmërim e bëri. “Mendoj që kjo i takon institucioneve përkatëse të PDIU-së dhe sigurisht që përpara çdo vendimi do të ketë një konsultim të gjerë, por le të themi që kjo nuk e ndihmon marrëdhënien mes aleatëve”, tha Mesila Doda.

Pavarësisht qëndrimit të PDIU-së, seanca reflektoi qetësi mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Edhe pse mes bashkëkryetarëve të koalicionit nuk u vu re ndonjë komunikim, mes palëve nuk kishte debat.

Top Channel