
Cleveland nuk është në momentin më të mirë në NBA. Skuadra kampione në fuqi pësoi një tjetër humbje, këtë radhë ndaj Miamit me rezultatin 124-121 pas kohës shtesë, duke bërë që Heat të mbajë të gjalla shpresat për një kualifikim në fazën e playoffit.
Në këtë ndeshje skuadra nga Ohio nuk kishte në dispozicion LeBron James dhe Kyrie Irving të lënë pushim për të qenë sa më në formë për fazën e Playoffit duke qenë se në sezonin e rregullt skuadrave u ka mbetur edhe nga 1 ndeshje për të luajtur. Cleveland luajti mirë deri në periodën e tretë kur mori edhe një avantazh prej 11 pikësh. Por Miami përmbysi rezultatin dhe mbylli llogaritë e sfidës në 5 minutat e kohës shtesë. Ata që shkëlqyen për Miamin ishin Ëhiteside me 23 pikë e 18 topa në tabelë e James Johnson me 16 pikë. Pas kësaj humbjeje, Cleveland e sheh veten të zbresë sërish në vendin e dytë në Konferencën e Lindjes duke ia lënë sërish kreun Boston Celtics.
Ky i fundit nuk zhgënjeu dhe në TD Garden arriti të fitojë me lehtësi ndaj Brooklyn Nets me rezultatin 114-105. Në ndeshjen e fundit ndaj Milwaukee, Boston duhet të fitojë në mënyrë që në fazën e playoffit të sigurojë faktorin fushë. Përsa i përket sfidës me Nets, Thomas ishte ai që e drejtoi Bostonin drejt suksesit të 52 sezonal me 27 pikë të shënuara.
Në Konferencën e Perëndimit, ku tashmë është përcaktuar gjithcka, skuadrat që kryesojnë Golden State dhe San Antonio janë ndalur në ndeshjet e tyre të parafundit në sezonin e rregullt. Pas 14 fitoreve radhazi, skuadra e Warriors humbi në parketin e saj, Oracle Arena kundrejt Utah Jazz 99-105. Curry shënoi 28 pikë, ndërsa Kevin Durant luajti për 33 minuta duke shënuar 16 pikë. Për Jazz spikati Rudy Gobert me 17 pikë e 18 topa në tabelë duke bërë që Utah të jetë ende në garë për vendin e 4.
Ndërsa San Antonio humbi ndaj Portland me rezultatin 99-98. Portland shkoi në pushimin e ndeshjes me avantazhin 47-43, por në periodën e trete, San antonio e ktheu sfidën në favorin e tij duke marrë kryesimin në 76-71.Reagimi i Portland u pa në 12 minutëshin e fundit kur siguroi edhe këtë fitore ndaj skuadrës teksane.
Top Channel