Fiks Fare/ Skandal në Has, Zyra Arsimore u bën presion mësuesve

11/04/2017 20:40

Skandal në Zyrën Arsimore të Hasit, ku autoritetet e saj ushtrojnë presion ndaj të larguarve nga puna, duke u kërkuar që të tërhiqen nga gjyqet nëse duan të kthehen në punë, edhe pse janë larguar me vendime që kanë rezultuar false nga vetë Ministria e Arsimit.

Po ashtu, Zyra Arsimore e Hasit nuk zbaton edhe urdhrat e nxjerra nga vetë autoritetet e këtij institucioni. Isuf Sefolli, mësues matematike i larguar nga puna prej afro 4 vitesh për shkak të një procesverbali i cili ka rezultuar fals, shpjegon se në atë kohë punonte mësues fizike dhe matematike në shkollën e bashkuar “Skënderbeu” (Krumë) dhe është hequr nga puna me një urdhër të drejtorit të shkollës, datë 12.09.2013, që ishte bazuar në një vendim të Komisionit të Disiplinës. Menjëherë, ai e ka kundërshtuar urdhrin deri te Ministria e Arsimit, ku kjo e fundit ka ngritur një komision verifikimi. Nga verifikimi i kryer ka rezultuar se procesverbali i Komisionit të Disiplinës ishte falsifikuar.

Në këto kushte, vetë Ministria e Arsimit ka kallëzuar penalisht drejtorin e shkollës dhe e ka nxjerrë procesverbalin të pavflefshëm. Mësuesi ka pritur që të rikthehet në punë, por ai nuk është rimarrë. Në këto kushte, ai i është drejtuar Gjykatës Administrative për dëmshpërblim për pagat e munguara.
Nga ana tjetër, ai ka bërë kërkesë për t’u rikthyer në punë. Në vitin 2016, ai është rimarrë në punë përkohësisht në të njëjtën shkollë. Pasi ka mbaruar viti shkollor, ai ka aplikuar sërish për vend pune, pikërisht për vitin shkollor 2016-2017. Por, pas aplikimit, drejtori i shkollës së mesme, Flamur Dauti i ka kthyer përgjigje se ai nuk mund të fitonte vendin e punës vakant për shkak të një shkrese të Zyrës Arsimore në Has.

Një shkresë e tillë i është dërguar edhe të interesuarit Isuf Sefolli, ku kërkohet që për të fituar atë vend pune, ai të heqë dorë nga gjyqi që ka për dëmshpërblimin dhe mosheqja dorë nga ky proces e bën punësimin e tij në atë institucion të pamundur.

Por, kjo nuk është vetmja pengesë që i është bërë Isuf Sefollit dhe familjes së tij. Ai tregon se metoda penguese janë përdorur edhe ndaj bashkëshortes së tij, e cila është po mësuese në Has. Isuf Sefolli tregon që bashkëshortja e tij, Bukurie Sefolli, më 10 dhjetor të vitit 2013 është emëruar në shkollën e mesme në vend të një mësuesi tjetër, ndërkohë që deri në atë kohë ishte mësuese në shkollën 9-vjeçare Krumë. Menjëherë, ajo ka filluar punë dhe ka ushtruar funksionin e saj deri në fund të muajit dhjetor, ndërkohë që më 16 dhjetor ishte larguar nga detyra përgjegjësja e Zyrës Arsimore Nazlie Laçi dhe në vend të saj ishte emëruar Selman Qema.

Ky i fundit, në fillim të muajit janar i ka kërkuar mësueses Bukurie Sefolli të kthehet në vendin e punës që ka qenë, pasi nuk kishte asnjë urdhër për lëvizjen e saj në gjimnaz. Isuf Sefolli tregon se e kanë takuar Qemën dhe i kanë treguar urdhrin, i cili i kishte shkuar dhe drejtorit të shkollës, por ai e ka cilësuar si urdhër fals dhe në këto kushte  nuk e ka marrë parasysh duke e rikthyer bashkëshorten e tij në shkollën 9-vjeçare. Për këtë arsye, ai ka kërkuar disa herë shpjegime nga Zyra Arsimore, por nuk ka marrë zgjidhje, kështu që i është drejtuar “Fiks Fare” për të mësuar arsyet sepse nuk zbatohet urdhri i nxjerrë nga vetë Zyra Arsimore dhe pse ushtrohet presion ndaj tij për t’u tërhequr nga gjyqi, në një kohë që është larguar nga një procesverbal, i cili është nxjerrë i falsifikuar nga vetë Ministria e Arsimit dhe gjykata.

Pas ankesës së qytetarit, “Fiks Fare” shkoi pranë Zyrës Arsimore në Has për të marrë një përgjigje nga kreu i këtij institucioni, Selman Qema. Gjatë bisedës, ai thotë se Isuf Sefolli është larguar nga puna për shkelje etike, por nuk dëshiron të shpjegojë faktin se ai urdhër është rrëzuar nga Ministria e Arsimit. Ai thotë se shkresa që i është dërguar Isuf Sefollit nuk është presion, por janë negociata. Gjithashtu, deklaron që Sefolli është në konflikt gjyqësor, prandaj nuk mund të emërohet në atë shkollë, por nuk dëshiron të shpjegojë arsyen që në këto kushte ai është emëruar në vitin 2016 përkohësisht dhe pse nuk mund të emërohej dhe për këtë vit shkollor.

Pasi lexon letrat, duke pretenduar që Isuf Sefollit i janë ofruar disa vende pune, por ai nuk ka pranuar, ai nuk pranon të na japë në dispozicion dokumentacionin, ndërkohë që Sefolli nuk është në dijeni të këtyre ofertave. Për bashkëshorten e Sefollit ai pretendon se ish-paraardhësja e tij ka lënë në protokoll vetëm dokumente të firmosura dhe vulosura deri më datë 31 tetor 2013 dhe jo më tutje. Ai nuk pranon të komentojë urdhrin që ka në dispozicion bashkëshortja e Sefollit, për më tepër që ajo ka punuar afro një muaj në gjimnaz. Duke mos na dhënë asnjë përgjigje, ai thotë se ne po e pengojmë në ushtrimin e funksionit të tij dhe kërkon që ne të largohemi.

Përgjegjësi nuk pranoi të na japë shpjegim për disa çështje të ngritura nga vetë ankuesi, por ne gjetëm disa nga dokumentet e nxjerra nga ky institucion. Sipas të dhënave, Isuf Sefolli është emëruar përkohësisht në vitin 2016 në shkollën e mesme të Hasit, duke u bazuar në kërkesën e tij, por ai nuk është pranuar për vitin 2016-2017, pavarësisht se ka paraqitur të njëjtën kërkesë. Përgjegjësi i zyrës arsimore tha se ai nuk është pranuar pasi është në konflikt gjyqësor, por mbetet pa u sqaruar arsye pse është pranuar disa muaj më parë, ndërkohë që konflikti gjyqësor ka qenë i vazhdueshëm. Pra kur është shkelur ligji, në rastin e emërimit, apo të mos emërimit. Lidhur me emërimin për herë të dytë në shkollën e mesme, përgjegjësi i zyrës arsimore tha se nuk i është ushtruar presion. Por në një shkresë me nr. protokolli 1227, datë 23 gusht 2016, pra pikërisht kur është kundërshtuar emërimi i dytë thuhet: Kërkojmë nga ana juaj që të arrijmë në një marrëveshje duke hequr dorë nga procesi gjyqësor lidhur me padinë e ngritur nga ana juaj në mënyrë që të punësoheni. Mos heqja dorë nga ky proces, punësimi juaj në atë institucion (pra në shkollën e mesme) është i pamundur. Kërkojmë nga ana juaj që sa më shpejt të jetë e mundur nëse ju e gjykoni të drejtë dhe është në interesin tuaj për t’u punësuar, t’i drejtoheni gjykatës me një kërkesë, në mënyrë që me fillimin e vitit të ri shkollor, ju të punësoheni pranë gjimnazit “Skënderbeu” Krumë.

Po ashtu, ne kërkuam të mësojmë më shumë edhe për urdhrin e emërimit të bashkëshortes së Sefollit, që sipas përgjegjësit të zyrës arsimore nuk ekziston pranë këtij institucioni. Ne arritëm të kontaktojmë me ish-përgjegjësen Nazlie Laçi dhe e pyetëm për këtë urdhër. Ajo na tha se urdhri është firmosur dhe protokolluar prej saj, por Bukurie Sefolli nuk është e vetmja që ankohet, pasi ajo është në dijeni se janë ankuar edhe mësues të tjerë, ndërkohë që e ka kryer detyrën e saj deri në ditën e fundit që ka qenë në atë funksion.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA