Rama: Dialog me opozitën, edhe për drejtësinë

10/04/2017 00:00

Kryeministri Edi Rama është shprehur sërish i gatshëm për dialog me opozitën, të cilës, ndonëse jo në mënyrë indirekte, i ka bërë thirrje të heqë dorë nga kërcënimet për dhunë.

“Shqipëria nuk mund të kthehet mbrapa se dhuna nuk është alternativë, se kërcënimet nuk janë program, se gjithë ky proces ku ne jemi futur është historik pasi BE na pret për t’u ulur në tavolinë për të negociuar anëtarësimin, por edhe pasi qytetarët presin çlirimin e drejtësisë nga kthetrat e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar”, ka deklaruar Rama.

Ai ka theksuar se, për Shqipërinë është e rëndësishme që të ketë dialog me opozitën, por pa e kthyer atë në një lojë kungulleshkash dhe pa vënë kushte.

“Të diskutojmë ballë për ballë për të gjetur zgjidhje. Zgjidhje për çfarë opozita pretendon, brenda kornizave kushtetuese, jo vetëm për të bërë zgjedhje të lira e të ndershme por edhe për të përcaktuar rrugën e Shqipërisë europiane”, ka thënë Rama.

Për kreun e qeverisë, drejtësia është kryefjala e këtij procesi. “Shqipëri europiane pa drejtësi europiane nuk mund të ketë dhe Shqipëri europiane me kërcënime për dhunë, duke u kthyer në kohët e zymta, nuk mund të ketë”, ka thënë Rama.

Top Channel