Raporti parlamentar për CEZ, 12 të akuzuar

06/04/2017 00:00

Në Parlament u lexua raporti përfundimtar i Komisionit Hetimor për Privatizmin e OSSH në 2009 nga kompania çeke CEZ.

Sipas deputetëve të mazhorancës, që në Komison kryesoheshin nga Taulant Balla, dëmi për shtetin shqiptar shkon në 414 milionë euro.

Në raportin prej 43 faqesh thuhet se procesi i privatizimit ka qenë fiktiv, me fitues të paracaktuar dhe me favorizime që kanë vazhduar edhe pas marrjes në pronësi të OSSH nga CEZ. Në raport thuhet se rol të rëndësishëm në hetim ka pasur dëshmia e juristit të OSHE, Romeo Karaj, ndërkohë që Taulant Balla tha se rol kryesor në këtë afere ka pasur shtetasi i Kosovës, Nue Kalaj, i cili sipas tij ka qenë ndërmjetës mes qeverisë së asaj kohe dhe çekëve dhe që nuk ka dëshmuar në komsion.

Raporti përfundimtar do t’i shkojë Prokurorit të Përgjithshëm me kërkesën për të nisur procedimin penal ndaj ish-kryeministrit Berisha, Nue Kalajt e deri tek zyrtarët e Entit Rregullator të Energjisë.

12 të akuzuarit e përmendur nga Taulant Balla në Parlament:

1.    Sali Berisha, Ish-Kryeministër dhe deputet i Kuvendit të Shqipërisë, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, shkelje e barazisë së pjesëmarrjes në tendera…
2.    Nue (Nuel) Nik Kalaj  për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”,
3.    Genc Ruli, ish-ministër i Ekonomisë
4.    Ridvan Bode, ish-Ministër i Financave për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorimi i detyrës”, vepra penale të parashikuara nga nenet 245/1 dhe 248  të Kodit Penal.
5.    Për të gjithë anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, për veprat penale  “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” , vepra penale të parashikuara nga nenet 248 dhe 248 të Kodit Penal.
6.    Për të gjithë anëtarët e Komisionit të Negocimit të Marrëveshjes me CEZ As, për veprat penale  “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” , vepra penale të parashikuara nga nenet 248 dhe 248të Kodit Penal.
7.    Florion Mima, ish Zv. Ministër i METE, për veprën penale  “Shpërdorimi i detyrës”;
8.    Enno Bozdo, ish Zv. Ministër i METE, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
9.    Ledina Mandia, ish Avokate e Shtetit, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
10.  Shkëlzen Sali Berisha, për veprat penale  “Refuzimi për të dëshmuar” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuara nga nenet 245/1 dhe 307 të Kodit Penal;
11.    Bujar Nepravishta, Ish-Kryetari i Entit Rregullator të Energjisë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
12.    Sokol Ramadani, Ish-Kryetari i Entit Rregullator të Energjisë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Ndërkohë, kësaj radhe opozita nuk hartoi raportin e saj për hetimin për shkak të bojkotit parlamentar.

Top Channel