Tjetër mbrëmje e qetë në Tiranë, të rinjtë qëndrojnë përpara Kryeministrisë për orë të tëra pa krijuar incidente
Skemat mashtruese për përfitime të sipërfaqeve të tokave në bazë të ligjit 7501 vazhdojnë të zbulohen edhe sot, një çerek shekulli nga koha e aplikimit të këtij ligji.
Një nga skemat e zbuluara së fundmi nga organi i akuzës së Tiranës është edhe ajo e ish-përgjegjëses së Kadastrës në Këshillin e qarkut të Tiranës, Henrieta Hyka.
Nga hetimet e kryera prokuroria dyshon se e pandehura, duke shfrytëzuar pozicionin që kishte ka falsifikuar një sërë dokumentesh, duke u dhënë sipërfaqe të konsiderueshme toke në komunën e Kasharit, në bazë të ligjit 7501, personave të afërm të saj të cilet nuk përfitonin nga ky ligj.
Madje, hetimi ka konstatuar se është flasifikuar edhe sipërfaqja e tokës ku nga 500 m2 që ishte fizikisht, në letra është shënuar si 4.500 metra katrorë, duke i shtuar përpara numrin 4.
Sipas prokurorisë, ish-përgjegjësja e Kadastrës, duke patur dijeni mbi gjendjen e tokave u ka dhënë të afërmve saj sipërfaqe toke edhe pse nuk ishin banorë të zonës ku ishte toka, në komunën e Kasharit dhe as nuk kanë qenë punonjës të ish-kooperativave apo fermave bujqësore.
Më pas, toka që i ishte flasifikuar pronësia shitej tek persona të tjerë, sërish të afërm të Henrieta Hykës dhe në fund, pas dy-tre shit-blerjesh fiktive lëshohej një prokurorë që i jepte të drejtën Hykës të kryente veprime të tjera, duke ia dhënë tokën personave për ndërtime apo qëllime të tjera.
Gjithë kjo skemë, sipas prokurorisë bëhej që e pandehura të fshinte gjurmët. Fillimisht kjo skemë dyshohet se është zbatuar nga dy firma ndërtimi, të cilave e pandehura iu ka kërkuar përqindje të ambienteve të ndërtimit më shumë sesa sipërfaqja e tokës që u kishte vënë në dispozicion.
Më pas prokuroria arriti të zbulojë mekanizmin dhe aktualisht, Henrieta Hyka është duke u gjykuar në Gjykatën e Tiranës për akuzën e “pastrimit të produkteve të veprës penale”.
Top Channel