Xhafaj pret delegacionin e BE: Bashkëpunim mes agjencive ligjzbatuese

05/04/2017 00:00

Ministri i ri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj priti sot një delegacion të BE-së të kryesuar nga Eduart Auer, shef i Divizionit për Ballkanin Perëndimor, i shoqëruar nga zyrtarë të tjerë të lartë të Brukselit si dhe ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin.

Çështjet ku u ndalën ishin lufta kundër kultivimit të kanabisit, lufta kundër krimit të organizuar, eficenca për rritjen e integritetit dhe profesionalizmit të punonjësve të Policisë së Shtetit. Gjithashtu u vu theksi tek bashkëpunimi me agjencitë e tjera ligjzbatuese në vend, veçanërisht me Prokurorinë.

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj prezantoi prioritetet e detyrës së tij dhe masat e pritshme në këtë kuadër.

Përfaqësuesit e BE-së vlerësuan qartësinë e prioriteteve dhe veçanërisht miratimin e Planit Kombëtar të Veprimit kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit. Ata përshëndetën reagimin e ashpër të autoritetit, në rastin e ditëve të fundit në Policinë e Kurbinit, ku u ndëshkuan disa oficerë policie pas zbulimit të një parcele me bimë narkotike.

Delegacioni i Bashkimit Europian premtoi përshpejtim të asistencës dhe mbështetje me pajisje të teknologjisë së lartë për Policinë e Shtetit në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve.

Në takim u ra dakord gjithashtu për një koordinim të asistencës dhe përfaqësive të tyre në Shqipëri.

Top Channel