Panariti: Do të ketë kompromis. Të rëndësishme janë reformat

05/04/2017 00:00

Nga Korça dhe nga Tirana, ministrat e LSI-së kanë apeluar për dialog mes palëve. Ulja në tryezën e dialogut dhe fryma konsesuale, për ministrat Panariti dhe Gjosha është e vetmja mundësi për ta rikthyer opozitën në Parlament.

“Së shpejti do të kemi një kompromis dhe ulja në tryezë është shkëputje nga agresiviteti. Dy palët janë të ndërgjegjshëm dhe duhet të ulen në tryezë për dialog. E rëndësishme është që të fitojnë reformat. Fryma e dialogut shpejt do të japë frytet e saj. Fryma e dialogut është kryesorja. Të rikthejmë opozitën në Parlament, LSI ka shprehur predispozicionin e saj për të qenë pjesë me aleancën e majtë”, tha Panariti.

“Unë mendoj që ulja në një tryezë të përbashkët e partive politike do t’i japë një zgjidhje vendit. Dialogu gjithnjë sjell zgjidhje dhe jo ngërç. Kështu që le të provojmë me dialog për t’i dhënë zgjidhje vendit, jemi në prag të zgjedhjeve”, tha Gjosha.

Ashtu si Ilir Meta dy ditë më parë, kur foli për garanci, por jo për afate për të arritur një zgjidhje mes palëve përmes tryezës së dialogut, edhe ministrat e LSI-së nuk flasin për një ftesë konkrete, orë apo datë për një takim të tillë.

Top Channel