“Opozita nuk do të bëhet pjesë e pazareve për të marrë llokmat e saj dhe të bëhet pjesë e kupolës. Nëse do të ketë dialog politik, nuk do të kthehet në një pazar të pistë që të vazhdojë komploti ekonomik dhe republika e vjetër. Do të jetë dialog politik që përmes standardit europian për zgjedhje të lira e të ndershme do t’i japë fund njëherë e përgjithmonë republikës së vjetër”.

Kështu tha kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në ditën e 47 të protestës së opozitës, ku takoi përfaqësues të biznesit të vogël.

Basha theksoi më tej se “ekonomia shqiptare është shkatërruar nga një qeveri e lidhur me krimin dhe nga pushtetarë të korruptuar”.

“Por, gjendja ekonomike është rezultat i një komploti të madh kundër qytetarëve shqiptarë. Republika e kukullave bën teatër kukullash në mënyrë që të vjedhë pasuritë e shqiptarëve. Republika e vjetër është komplot ekonomik”, tha Basha.

Kreu i PD-së shtoi se “janë rritur taksat dhe me paratë e taksave të rritura nuk janë hapur vende të reja pune, por janë mbyllur mijëra biznese”. “Asnjë vend i ri pune dhe rritje zero e pagave. Efekti i inflacionit nuk shlyhet me pseudorritje. Janë rritur taksat, nafta, energjia elektrike, uji, ushqimet e shportës. Ky është komploti ekonomik kundër çdo njeriu. Me paratë e taksave të rritura nuk bëhen investime për qytetarët, por pasurohen në mënyrë marramendëse një grusht njerëzish, një grusht pushtetarësh dhe kriminelësh. Kjo është kupola e republikës së vjetër dhe qeveria e krimit”, tha Basha.

Top Channel