“LSI deklaron se vendi në këto momente ka nevojë për një qeveri të besimit”. Qëndrimi i Ilir Metës provokoi të martën disa reagime të Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, që riaktivizuan vullnetin për dialog.
Mbrëmjen e së martës, kryeministri Edi Rama i tha kryetarit të opozitës se ishte i gatshëm për dialog sa herë Partia Demokratike do dialog dhe për gjithçka, kudo e kurdo. Rama i tha Bashës ta caktojë vetë vendin dhe orën. Në Twitter-in e kryeministrit mungojnë kushtet që ai kishte deklaruar në drekën e së martës, kur mirëpriti përpjekjen e bashkëkryetarit të koalicionit Ilir Meta për zgjidhje që kënaq Partinë Demokratike.
“Kushtetuta jonë është shumë e qartë. Zgjedhjet duhet të mbahen në 18 qershor. Kushtetuta është shumë e qartë, qeveria është vullnet i shumicës. Nëse biem të gjithë dakord me Kushtetutën, unë jam i bindur se mund të biem dakord me gjithçka tjetër”, thonte Rama.
Për dialog foli edhe opozita, drejtuesit e së cilës u mblodhën pasditen e së martës për të rikonfirmuar vullnetin për dialog. Por, edhe opozita, e cila ftoi kryeministrin të heqë dorë nga kushtet, ka kushtin e saj. Qeverinë teknike që do të krijojë kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme. Koalicioni opozitar përshëndeti hapin e hedhur nga Lëvizja Socialiste për Integrim për tu bërë, siç thuhet, pjesë e zgjidhjes së krizës së rëndë politike në vend. Një qëndrim i tillë u paralajmërua që paradite nga kreu i opozitës, Lulzim Basha.
“Nëqoftëse kjo zgjedhje është e sinqertë, mirësevjen te Shqipëria e para, shqiptarët të parët. Ne nuk do ta lëshojmë këtë betejë me kompromise, me pazare, me gjysmëarritje, me gjysmë-marrëveshje. Në djall pazaret politike. Ky është vendimi dhe beteja e qytetarëve”, deklaroi Basha.
Pas ftesës publike të Edi Ramës për të caktuar kohën dhe vendin e takimit, Lulzim Basha foli ndryshe në çadrën e protestës. Ai u shfaq optimist dhe pa gjuhën e ashpër të ditëve më parë, falenderoi protestuesit për qendresën dhe atë që e quajti fitore e shpejtë, por pa dhënë detaje dhe pa kthyer përgjigjje ftesës së Ramës.
Top Channel