Ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Olta Xhaçka ka kërkuar më shumë inspektime ndaj bizneseve apo subjekteve që mbajnë të punësuar punonjës të papërfshirë në skemën e sigurimeve shoqërore.
“Zbulueshmëria e punonjësve ilegalë që nuk janë në skemën e sigurimeve shoqërore në subjektet e licencuara, mbetet përsëri një sfidë e rëndësishme, pavarësisht punës së realizuar deri tani. Duke pasur në qendër të vëmendjes mbrojtjen e punëmarrësve, sigurinë dhe shëndetin në punë, është orientuar planifikimi i inspektimeve drejt subjekteve të pashkelura më parë apo të subjekteve që konsideroheshin të paprekshme, duke përmendur inspektime të kryera në sektorin bujqësor, të cilat kanë qenë më përpara jashtë vëmendjes”, tha Olta Xhaçka.
Në analizën vjetore të Inspektoriatit Shtetëror të Punës u vu theksi në garantimin e shëndetit dhe jetës së punonjësve. Sipas kryeinspektorit të punës, Dritan Ylli, ka rritje të numrit të bizneseve që kanë siguruar punonjësit e tyre.
“Janë 1.200 punëmarrës më shumë se një vit më parë të përfshirë në skemën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Ndërkohë që janë raportuar për kompetencë në organet e tatim-taksave 117 subjekte, të cilat u evidentuan krejtësisht në kundërshtim me ushtrimin e aktivitetit sipas ligjeve të Republikës së Shqipërisë, që kishin edhe 128 punonjës krejtësisht të pambrojtur”, tha Dritan Ylli.
Puna në të zezë mbetet problem gjatë sezonit turistik, ku biznese të përkohshme, kryesisht në sektorin e tregtisë, nuk i sigurojnë punëtorët e tyre sezonalë.
Top Channel