Plani për zgjidhjen e krizës, Idrizi paraqet 7 pikat

04/04/2017 20:50

Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet nuk ka vonuar që të bëjë publike platformën e saj për zgjidhjen e krizës politike në vend.

Mbrëmjen e së martës, kreu i kësaj partie Shpëtim Idrizi propozoi një pakt me 7 pika, i cili synon zgjidhjen e ngërçit. Pika e parë e kësaj platforme është kthimi i opozitës në Parlament për miratimin e akteve ligjore, që do i hapnin rrugën zbatimit të Reformës në Drejtësi dhe do të realizonin ndryshime në legjislacionin zgjedhor, për të siguruar besimin për zgjedhjet e 18 qershorit.

Idrizi kërkon një president konsesual. Për këtë arsye, ai kërkon thirrjen e tryezës së partive politike parlamentare për fillimin e dialogut, me qëllim miratimin e një kandidature për Presidentin e ardhshëm.

Pakti kërkon garantimin e rolit të paanshëm në zgjedhje të Policisë së Shtetit. PDIU propozon ndryshimin e sistemit zgjedhor në sistem proporcional me një zonë zgjedhore, për krijimin e mundësive reale për të garuar forcat politike jashtë koalicioneve.

Gjithashtu depolitizimin e anëtarëve të KZAZ-ve, KQV-ve dhe grupeve të numërimit, dhe rritjen e  numrit të anëtarëve në këto komisione.

Më tej, krijimin me urdhër administrativ të Prokurorit të Përgjithshëm të një “task force” prokurorësh të atashuar pranë KQZ-së, qe të hetojë në mënyrë urgjente të gjitha sinjalizimet për blerje vote apo kërcënime.

Në plan kërkohet edhe ngarkimi i një strukture inxhinierike konsensuale, që do të përgatisë në mënyrë urgjente një projekt teknik, për variantet e mundshme të realizimit të numërimit elektronik, apo edhe vlerësimin e mundësive të realizimit të votimit elektronik, nëse ai konsiderohet i sigurtë dhe i mundshëm në kohë, në një procedurë të miratuar në mënyrë konsensuale nga të gjitha partitë parlamentare.

Idrizi ka kërkuar në fund edhe bashkëpunimin e përfaqësive diplomatike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Europian, OSBE-së dhe vendeve të tjera anëtare të BE-së.

Pakti me 7 pika:

1. Kthimi i opozitës në Parlament për miratimin e akteve ligjore, që do i hapnin rrugën zbatimit të reformës në drejtësi, përparimit të vendit në integrimin evropian dhe realizimin e disa ndryshimeve në kuadër të legjislacionit zgjedhor dhe masave të tjera, për të siguruar atomsferë të qetë dhe të besueshme, për zgjedhjet e 18 qershorit.

2. Garantimin e rolit të paanshëm në zgjedhje të Policisë së Shtetit.

3. Ndryshimin e sistemit zgjedhor në sistem proporcional me një zonë zgjedhore, për krijimin e mundësive reale për të garuar forcat politike jashtë koalicioneve.

4. Depolitizimin e anëtarëve të KZAZ-ve, KQV-ve dhe GNV-ve, ose rritjen e numrit të anëtarëve në komisionet e numërimit, me përfaqësues të partive parlamentare

5. Krijimin e një grupi të posaçëm me urdhër administrativ të Prokurorit të Përgjithshëm, krijimin e një “task force” prokurorësh të atashuar pranë KQZ-së, e cila ka për detyrë të hetojë në mënyrë urgjente të gjitha sinjalizimet për blerje vote, kërcënim, intimidim, etj. Gjithashtu edhe dërgimin e çështjeve të lidhura me cënimin e procesit zgjedhor brenda 24 orësh në gjykatë, duke ashpërsuar masat për “krimin elektoral”.

6. Ngarkimin e një strukture inxhinierike konsensuale që do të përgatisë në mënyrë urgjente një projekt teknik, për variantet e mundshme të realizimit të numërimit elektronik, apo edhe vlersimin e mundësive të realizimit të votimit elektronik, nëse ai konsiderohet i sigurtë dhe i mundshëm në kohë, në një procedurë të miratuar në mënyrë konsensuale nga të  gjitha partitë parlamentare.

7. Thirrjen e tryezës së partive politike parlamentare për fillimin e dialogut, me qëllim miratimin e një kandidature konsensuale si President të Republikës së Shqipërisë.

Top Channel