Opozita: Qeveria teknike, e vetmja rrugë

04/04/2017 00:00

Koalicioni opozitar doli me një deklaratë të përbashkët pas takimit të mbajtur ditën e martë, ku konfirmoi këmbënguljen për qeveri teknike, detyrat e së cilës i parashtroi në katër pika.

“Koalicioni Opozitar shpreh gatishmërinë e plotë për të punuar me të gjitha forcat politike pa asnjë paragjykim, për krijimin e qeverisë teknike duke i dhënë asaj një mandat të fortë për: 1-Zbatimin e plotë të ligjit të dekriminalizimit. 2-Luftë efikase kundër narkotrafikut, krimit të organizuar dhe parave të drogës. 3-Përgatitjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme. 4-Zbatimin e reformës në drejtësi, sipas përcaktimeve kushtetuese të 22 korrikut”, thuhet në deklaratën e përbashkët të opozitës.

Opozita thotë se kjo është e vetmja garanci për të organizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, ku shqiptarët të votojnë lirisht, të zgjedhin lirisht dhe vota e tyre të mos tjetërsohet.

“Duke përshendetur hapin e hedhur mbrëmë nga LSI për t’u bërë pjesë e zgjidhjes së krizës së rëndë politike në vend, Koalicioni Opozitar rikonfirmon gatishmërinë për nisjen e dialogut politik për qeverinë teknike dhe fton Edi Ramën të heqë dorë nga kushtet dhe të vendosë interesat e vendit dhe të qytetarëve shqiptarë para interesave personale të pushtetit të tij”, shtohet në reagim.

Top Channel