Investimet në shëndetësi, të gjitha instrumentet janë të reja

04/04/2017 00:00

Instrumentet e reja kirugjikale  në sallat e operacionit dhe sterilizimi i tyre ka ulur ndjeshëm numrin e infeksioneve spitalore tek pacientët.

Pas QSUT tanimë edhe sallat e operacioneve në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” janë pajisur me këto instrumente. Kryeministri i vendit Edi Rama ka parë nga afër ndryshimin .

“Janë nja 30 vjet që kemi qenë me vegla që kur hynim në operacion ishin të konsumuara. Ndërsa tani ndryshimi është si nata me ditën”, tha Nikita Manoku, shef i shërbimit të gjinekologjisë.

Kryeminsitri Rama theksoi se ndonëse buxhet nuk ishte, ndërrimi i instrumenteve kirugjikale ishte domodoshmëri.

“Ne bëmë partneritet me privatët dhe çfarë më ka dhënë mua përshtypjen finale ishte një raport i Ministrisë së Shëndetësisë për infeksionet nga veglat që përdoreshin në operacione, që krijonin konseguenca pasi ishin jashtë standardeve”, tha kryeministri Rama.

Ministrja e Shëndetësisë  garantoi se deri në dhjetor  partneriteti Publik privat  për instrumentet kirurgikale dhe sterilizimin do të shtrihet në të gjithë spitalet e vendit.

“Mbaruam me sukses implementimin e programit në QSUT, vazhdojmë deri në fund të majit duke përfshirë gjithë spitalet universitare, “Mbretëresha Geraldinë”, “Koço Gliozheni”, “Shefqet Ndroqi”, Spitalin e Traumës dhe në fund të dhjetorit shtrihemi në gjithë Shqipërinë”, tha ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Buxheti i shëndetësisë për vitin 2017 është rritur në 2.94 të Produktit të Brendshëm Bruto ndërkohë që parashikon dhe 10 milionë dollarë vetëm për rritjen e pagave të mjekëve, infermierëve.

“Për mjekët që shërbejnë nga spitali rajonal në rajonal është 50 mijë lekë në ditë, ndërsa për ata që shërbejnë nga universitari në rajonal është 100 mijë lekë”, tha znj. Manastirliu.

Top Channel