Energjia, Kosova “peng” i Serbisë

04/04/2017 00:00

Serbia vazhdon të mbajë peng vënien në punë të linjës së interkonjeksionit me Kosovën. Por Shqipëria do t’i kërkojë zhbllokimin e linjës Sistemit Europian të Transmetimit të Energjisë përmes OST, që është bërë anëtarja më e re e rrjetit europian.

Investimi prej 80 milionë eurosh do të niste punën në rast se Sistemi Europian do të njihte operatorin e Kosovës pas ndarjes nga Serbia. 

“Deri më sot, duke qenë se nuk kemi qenë pjesë, nuk e dimë cfarë është diskutuar cfarë është votuar, duke qenë anëtarë kemi të drejtën e votës për zgjidhjen ose mund të marrim edhe iniciativën për të kërkuar zgjidhjen e problemit sepse ajo linjë duhet të vihet në punë”, thotë administratori i OST, Engjëll Zeqo.

Një tjetër projekt në ndërtim është interkonjeksioni me Maqedoninë, që pritet të përfundojë pas tre vitesh.

“Jemi në fazën e vlerësimit të kompanive të konsulencës dhe në fund të vitit do të lancohet tenderi ku të gjitha fondet janë të garantuara ku kemi përfituar edhe një grant nga BE prej 14 mln eurosh”, thotë Zeqo.

Shqipëria do të mund të përfitojë të tjera financime të ngjashme, si pjesë e rrjetit europian të transmetimit.

“Në njëfarë mase ne jemi anëtarësuar në Europë. Deri në 2030 do të jenë 200 projekte me vlerë 150 mld euro që do të sjellin reduktim të çmimit me shumicë nga 1.5 në 0.5 euro, kjo çon në ulje të çmimit të energjisë dhe sigurisht që Shqipëria mund të përfitojë nga kjo vlerë investimi”, deklaron administratori i OST.

Top Channel