LSI “legalizon” zgjedhjet në Kavajë

03/04/2017 00:00

Në ditën e fundit të afatit ligjor, Lëvizja Socialiste për Integrim ka dërguar zyrtarisht në KQZ anëtarin e saj pjesë e KZAZ-së nr.42, që do të administrojë zgjedhjet e pjesshme për kryetar të Bashkisë së Kavajës më 7 maj.

Pavarësisht kësaj, nënkryetari i LSI-së, Luan Rama tha se kjo parti nuk do të regjistrohet si subjekt zgjedhor në KQZ dhe do të jetë indiferente ndaj garës për Kavajën.

“LSI nuk merr pjesë në zgjedhjet e Kavajës. Anëtari i KZAZ-së, që është pjesë e administratës zgjedhore, për shkak të ushtrimit të përgjegjësive në zbatim të ligjit ka shkuar në këtë KZAZ për të konstituar dhe për të bërë funksional veprimin e KZAZ-së, por kjo nuk është pjesëmarrje e LSI-së në zgjedhje”, tha Rama.

Komisionit Qendror të Zgjedhjeve votoi pas debateve me 4 vota pro dhe 2 kundër për 45 emra komisionerësh rezervë që do të jenë në rolin e sekretarëve dhe anëtarëve të Komisioneve Zonale të Votimit më 18 qershor në rast të bojkotit nga opozita.

Përfaqësuesit e opozitës në KQZ deklaruan se një pjesë e qytetarëve që kanë aplikuar për komisionerë janë militantë dhe anëtarë të partive të majta.

“Kishte persona që ishin certifikuar nga një subjekt i mazhorancës. Ne gjykuam se lista e kaluar ashtu siç erdhi, nuk kishte besueshmërinë e duhur ligjore”, deklaroi anëtari Klement Zguri.

Ky argument u kundërshtua nga komisionerët e majtë në KQZ dhe kryetari Biba, i cili tha se këto zgjedhje parlamentare nuk mund të jenë perfekte pa opozitën, por shpresonte në reflektim nga e djathta në protestë.

“Nuk kemi këllqe ta bëjmë këtë punë, të japim dorëheqjen, ose t’i japim vendit zgjedhje, që është rruga tjetër. Kjo është rruga e ligjshme, kjo është rruga për të cilën ne jemi mandatuar dhe paguar”, deklaroi Biba.

Top Channel