Arvizu rikthehet në Tiranë; takim me Metën e Bashën

03/04/2017 00:00

Ish-Ambasadori Amerikan në Shqipëri, Aleksandër Arvizu është rikthyer në Tiranë për të dytën herë pas përfundimit të mandatit të tij, me detyrën e Zv. Ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit për Çështjet e Trafikut Ndërkombëtar Narkotik dhe Sundimit të Ligjit.

Ashtu si 6 muaj më parë, kur ai vizitoi Tiranën në kohën kur palët nuk po gjenin gjuhën e përbashkët për miratimin e ligjit të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, që ishte e vetmja që u votua me konsensus, edhe këtë herë Arvizu duket se po i vjen në ndihmë Ambasadorit Lu, në kohën kur opozita prej 45 ditësh është në një protestë në kërkim të qeverisë teknike për të shkuar në zgjedhje, ndërsa Qeveria e kundërshton kërkesën e tyre.

Edhe pse jo zyrtarisht, mësohet se misioni i Arvizut gjatë kësaj vizite është për t’u njohur me qëndrimin e palëve, e jo për të bërë negociatorin. Takimi i parë i Arvizut ka qenë në selinë e Partisë Demokratike, ku ai është takuar me Lulzim Bashën.

Zyra e shtypit e kësaj partie, pas përfundimit të takimit, njoftoi se kreu i opozitës ka ngritur shqetësimin për rritjen e kultivimit të kanabisit, i cili sipas tij, ka sjellë kapjen e shtetit nga krimi.

Sipas Bashës, kjo qeveri dhe ky kryeministër nuk kanë as vullnet dhe asnjë mundësi të garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme. E në këto kushte, sipas kreut të opozitës, rruga e vetme për të siguruar zgjedhje të lira është krijimi i një qeverie teknike, me një mandat të qartë për zbatimin e menjëhershëm të ligjit të dekriminalizimit, parandalimin e rikanabizimit të vendit dhe luftën kundër drogës dhe parave të drogës, si dhe organizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Më pas, Ambasadorët Lu dhe Arvizu janë ndalur në Kryesinë e Kuvendit, ku janë takuar me Kryeparlamentarin, Ilir Meta. Sipas zyrës së shtypit të këtij institucioni, mësohet se Meta gjatë bashkëbisedimit ka vlerësuar mbështetjen e SHBA-ve në drejtim të sundimit të ligjit, luftës kundër krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe korrupsionit.

Po ashtu, kryeparlamentari i ka shprehur ambasadorit Arvizu se vendi ka nevojë për dialog e përgjegjshmëri për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme dhe për të avancuar reformat kyçe në vend, si ajo e sistemit të drejtësisë.

Top Channel