Gramoz Ruçi deklaroi para anëtarëve të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste 3 kushtet e panegociueshme për zgjedhjet, ndërsa kryetari i Partisë Socialiste të Tiranës ishte i drejpërdrejtë si edhe gjatë këtyre ditëve të fundit, se socialistët fitojnë edhe vetëm në 18 qershor.

Ndërkohë, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj deklaroi se tranformimi i Tiranës dhe gjithë bashkive në vend, që ka nisur, garantohet vetëm me Ramën kryeministër. 

“3 çështje për ne socialistët janë të panegosiueshme: zbatimi i Kushtetutës, votimi i vetting-ut dhe qeveria teknike”, tha Ruçi.

Saimir Tahiri u shpreh: “Nuk ka dyshim se ne socialistët, bashkë me shqiptarët, do të fitojmë pa diskutim. Edhe vetëm do të fitojmë. Me të gjithë përballë, Partia Socialiste do të fitojë. Kemi kryeministrin më të mirë në 25 vitet e fundit. Dhe kush nuk e ka kuptuar, kemi kryeministrin më të mirë dhe të vetëm pas zgjedhjeve të 18 qershorit”.

Ndërkohë, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, deklaroi: “Nëse keni iluzion se kjo histori e transformimit të qyteteve vazhdon pa Edi Ramën kryeministër, e keni gabim. Mos mendoni që janë dy vitet e tjera vendimtare të mandatit tuaj. Janë 75 ditët e tjera vendimtare për mandatin e secilit kryetar bashkie, për të konfirmuar PS-në në krye të punëve të vendit dhe Edi Ramën kryeministër të Shqipërisë”.

Top Channel