Basha: Marrëzia të marrë fund

02/04/2017 00:00

Nga Shkodra, Lulzim Basha i ktheu përgjigje ftesës së kryeministrit Edi Rama për të dalë nga çadra e për tu përballur me votën e shqiptarëve në 18 qershor.

Kryedemokrati përsëriti edhe një herë zotimin për zgjedhje të lira, duke nisur nga Shkodra, e cila ka paguar gjithnjë çmim të lartë për demokracinë.

“Në kushtet e një deliri që buron nga aleanca e rinovuar mes politikës dhe krimit, e rinovuar jo thjesht me krimin politik që përgjaku Shkodrën dhe gjithë Shqipërinë para 26 vitësh por, e rinovuar nga aleanca e politikës me krimin e organizuar, deliri i pushtetarëve të sotëm thotë atë që nuk ia zinte goja, as diktatorit të fundit; se demokracia mundet të bëjë edhe pa opozitën, se zgjedhje mund të ketë edhe pa opozitën. Sot e deri në fitoren e betejës që kemi vendosur më 18 shkurt, zotimi ynë është dhe mbetet: zgjedhje të lira dhe të ndershme të standardit europian dhe Republikë e Re e demokracisë, lirisë dhe drejtësisë së vërtetë”, tha Basha.

Nga memoriali “2 prilli”, ku u përkujtua masakra e vitit 1991 dhe 4 heronjtë e demokracisë, Arben Broci, Bujar Bishanaku, Besnik Ceka dhe Nazmi Kryeziu, Basha tha se politika e sotme e rinovuar me krimin është po ajo që përgjaku Shkodrën 26 vite më parë.

“Mirënjohje përjetë për 4 heronjtë e demokracisë që 26 vite më parë luftuan për lirinë me cmimin më të madh, jetën e tyre. Asnjëherë nuk ka qenë më aktuale sakrifica e 2 Prillit në këto 27 vite, se sa sot. Sepse, asnjëherë nuk ka qenë më e kërcënuar demokracia, liria për të zgjedhur me votë dhe për të rrëzuar me votë qeverinë.Sot kemi një politike të rinovuar me krimin dhe janë edhe sot ata që përgjakën Shkodrën përpara 26 vitesh. Marrëzia duhet dhe do të marrë fund”, deklaroi Basha.

Top Channel