Meta: Të krijojmë klimën e duhur për zgjedhjet

01/04/2017 00:00

Kryetari i LSI, Ilir Meta është treguar i rezervuar për mediat kur është pyetur sërish mbi të ardhmen e koalicionit qeverisës.

Nga Kuçova, ku është takuar me simpatizantë të partisë së tij, Meta ka theksuar se e rëndësishme është angazhimi i të gjithë faktorëve politikë për të garantuar zgjedhje sipas standardeve më të mira.

“Dua të theksoj rëndësinë e angazhimit tonë, të të gjithë politikanëve, drejtuesve të forcave kryesore politike në Parlament për të krijuar klimën e duhur për zgjedhje të qeta, për të respektuar atë të drejtë kushtetuese që ka çdo qytetar i Shqipërisë për të votuar në mënyrë të barabartë dhe të drejtë”, ka thënë Meta.

Ai është shprehur i vetëdijshëm se, kjo kërkon vullnet dhe dialog politik, por edhe mirëkuptim e përgjegjshmëri. I pyetur nëse do të ketë përzgjedhje të emrave të deputeteve, Meta ka nënvizuar se në këtë drejtim është jetik zbatimi i ligjit të Dekriminalizimit.

“Ky është një proces jetik për kredibilitetin e zgjedhjeve të ardhshme, për standardin e tyre, pasi dihet që Parlamenti që po mbyll këtë legjislaturë, këtë mandat, pati probleme të rëndësishme dhe shqetësuese, të cilat shpesh tërhoqën vëmendjen nga çështjet, nga reformat, duke shpenzuar shumë më tepër energji për këto çështjet që nuk i bëjnë nder as politikës”, ka thënë Meta.

Ai ka theksuar se, LSI është tepër e vendosur për ta zbatuar këtë proces dhe ka shprehur besimin se të gjitha forcat politike do të bëjnë të njëjtën gjë.

I pyetur për kërkesat e opozitës, Meta ka nënvizuar se është i domosdosshëm dialogu për këtë çështje dhe ka vlerësuar se ditët që vijnë duhen shfrytëzuar.

“Pasi çdo vonesë na çon në një drejtim të paditur, ndërkohë që ne të gjthë e kemi bërë të qartë që i vetmi drejtim ku duam që Shqipëria të ecë është ajo e integrimit evropian”, ka shtuar Meta.

Top Channel