Video me Lilën, hoxhë Kalaja kërkon falje: Gabim njerëzor

31/03/2017 00:00

Imami i Xhamisë “Dinë Hoxha” në Tiranë, Ahmed Kalaja këtë të premte ishte në Farkë, ku fal kontributit të dhjetëra besimtarëve, u arrit të ndërtohej një banesë e re për familjen Biba në këtë zonë, e cila prej 14 vitesh jetonte në kushte jashtë normales.

Një nismë bamirësie kjo, e cila sipas Imam Kalas, nuk është e fundit dhe në të njëjtën kohë, ai u bënë një apel të gjithë personave që kanë mundësi, që të ndihmojnë ata që janë më në nevojë.

Për herë të parë, imam Ahmed Kalaja foli dhe për debatin që shpërtheu pasi publikoi një video ku ai shfaqet bashkë me futbollistin e kombëtares Andi Lila, i cili bën humor me klerikët ortodoksë. Një ditë më parë, Lila i dha një zgjidhje debatit duke i kërkuar falje mitropolitit të Janinës, falje e cila është pranuar.

“Ishte një gabim njerëzor për të cilin edhe unë edhe Andi kërkuam ndjesë dhe kërkuam falje, se fundja fundit prandaj jemi dhe njerëz edhe të gabojmë. Shpresojmë që gjëra të tilla kurrë më nuk do të ndodhin  dhe mënyra se si u shit ishte diçka që vërtet të linte për të dëshiruar. Ishte diçka njerëzore, një gabim e pranojmë, por ja që jemi njerëz dhe nuk dalim dot nga njerëzorja”, tha Kalaja.

E në fund, imami i xhamisë së Rrugës së Kavajës ka dhe një mesazh për ata që e kanë sulmuar këto ditë.

“Unë i kam falur dhe ata të cilët e keqinterpretuan, ja kam bërë hallall. Zoti i falte ata dhe zoti na falte ne se dhe ne bëmë gabim dhe s’duhet të harrojmë gabimin tonë të parin”, tha Imami.

Top Channel